Mungesa e sallave të sportit po ua vështirëson shumë punën klubeve sportive në Ferizaj. Shumica e klubeve të këtushme të sportit kanë në dispozicion vetëm palestrën e sporteve “Bill Clinton”, gjë e cila po u shkakton probleme në stërvitje.
Trajnerja e klubit të basketbollit “Kastrioti” Kimete Haliti, tregoi për vështirësitë që po ua paraqet mungesa e sallave sportive në Ferizaj.
“I kemi tri termine në javë edhe ato janë nga ora 13:30 deri në orën 15:00, nuk është e mjaftueshme pasi jemi në gara me dy grupmosha, jemi me senior dhe U14, por për shkak të mungesës së termineve e shfrytëzojmë veç këtë termin, është pak problem pasi shumica e vajzave janë në shkollë në këtë kohë dhe është shumë termin i papranueshëm, por nuk kemi hapësirë tjetër. Është shumë problem kjo pasi duhet të ketë stërvitje çdo ditë, madje dy herë në ditë nëse duam të arrijmë diçka, por me këtë numër të stërvitjeve nuk besoj se do të arrijmë shumë rezultate të mëdha”, theksoi Haliti.
Përveç kësaj, Haliti shprehet e pakënaqur edhe me kushtet që ofrohen në këtë sallë.
“Temperaturat janë shumë të ftohta sidomos në këtë kohë, por jemi duke u lutur që të kryhet kampionati pa lëndime, po ashtu koshat janë shumë të vjetër, prej se është ndërtu salla nuk ka pasur ndonjë renovim, përveç kësaj edhe koshat duhet të jenë lëvizës pasi kemi gjenerata të vogla dhe koshat duhet me qenë që ulen “, tha Haliti.
Kurse, drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit Xhemile Murati-Shabani, tha se komuna e Ferizajt këtë vit veçse ka filluar me ndërtimin e qendrës sportive në Greme dhe ndërtimin e palestrës në Balaj, ndërsa kanë planifikuar që në vitin e ardhshëm të ndërtojnë palestrën e sporteve individuale.
“Pothuajse të gjitha klubet që veprojnë në komunën e Ferizajt e kanë hapësirën në objektet tona sportive, mirëpo megjithatë ne kemi menduar edhe për një plan më afatgjatë që t’u bëjmë një zgjidhje për një periudhë më të gjatë që në buxhetin e komunës së Ferizajt për vitin 2019 e kemi paraparë edhe ndërtimin e palestrës për sporte individuale, në këtë rast sporteve luftarake të komunës së Ferizajt që të kenë hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre, mirëpo megjithatë kemi paraparë edhe renovimin e palestrës së sporteve “Bill Clinton” gjë që për momentin ndoshta nuk i plotëson nevojat aq sa duhet, por me një renvoim besoj se do të jetë një objekt shumë më i përshtatshëm”, tha ajo.
“Komuna jonë ka një armatë të gjeneratës së re dhe kështu që vërtetë ata kanë nevojë për stërvitje. Ne për momentin kemi dy-tri objekte sportive që janë funksionale ekzistuese, palestra dhe dy stadiumet e futbollit, por të gjitha klubet sportive që i kemi në komunën tonë shfrytëzojnë palestrat sportive, një pjesë e klubeve që nuk kanë mundësi për shkak të ngufatjes së madhe në palestrën “Bill Clinton”, janë nëpër palestra të shkollave që kryesisht janë sporte luftarake, kërkesat janë shumë më të mëdha që të kemi termine shumë më shumë, por megjithatë vetëm klubet e fuqishme që janë në superligën e parë kanë nga 5 termine, ndërsa klubet tjera që janë në rangun më të ulët kanë tri termine”, tha Bashkim Haxhimusa, udhëheqës i sportit në Ferizaj.
Sallën e sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj e shfrytëzojnë 22 klube të ndryshme, stadiumin 7 klube, kurse disa të tjera i shfrytëzojnë sallat sportive të shkollave.