Derisa në konferencën e saj të parë si drejtoreshë e Financave kishte dalë të flas për plotë borxhe e sfida që e presin pushtetin aktual, sot në një tjetër konferencë në prag të këtij fundviti, drejtoresha Sebahate Ajeti po vlerëson se punët e financave kanë dalë në terezi. Ajo tregoi për rritjen e inkasimit të të hyrave vetanake, për çka tha se kanë arritur të realizojnë mbi 80 për qind të planifikimit. Në këtë takim me gazetarë, drejtoresha Ajeti theksoi se kanë marrë edhe konfirmimin e ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, për vendimin e Kuvendit lidhur me uljen e tatimit në pronë prej 10 për qind.
“Kjo dëshmon që qeverisja jonë është e përkushtuar për përkrahje të komunitetit të bizneseve, rrjedhimisht nxitjen e zhvilimit ekonomik lokal, duke lënë në paarsyeshmërinë e tyre të dëshmuar zërat e opozitës që ky vendim kinse është i kundërligjshëm“, tha Ajeti.
Menaxherja e kuletës së komunës, thotë se gjatë këtij viti kanë arritur të kryejnë të gjitha obligimet financiare pa ndonjë vonesë të theksuar.
“Pra gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë azhur sa i përket pagesave që kanë arritur në drejtorinë tonë. Këto që theksova më sipër janë pasqyrë e efikasitetit të administratës në Drejtorinë e Financave, qasjes tonë të shpejt në procedimin e lëndëve, ekonizimin e procedurave, si dhe shpenzimin e drejtë të parasë publike, ndërkaq nëse nisemi nga ajo se sa është stabilizuar gjendja financiare do të thoja se kjo ka ndodhur për vet faktin se ne jemi munduar që ta programojmë pagesën e borxheve për këtë vit, duke i shtyer obligimet e këtij viti për vitin që vjen e që janë të parashikuara me buxhet. Përndryshe, tash për tash nuk kemi shifër se sa do të jetë borxhi që trashëgohet për vitin e ardhshëm, pasi që deri në fundvit do të bëhen edhe kalkulimet e fundit, por gjithsesi që këto do të publikohen në një tjetër konferencë ku do t’iu ftoj”, tha drejtoresha e Financave.
Drejtoresha e Financave Sebahate Ajeti, tha se të gjitha ndërprerjet ose shtimet financiare të cilat hyjnë kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, qeveria Aliu i ka bërë me mbështetje të plotë ligjore.