Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu dhe koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport Rexhep Hoti, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për zbatimin e përbashkët të Programit Nacional për Rininë. Sipas përpiluesve të këtij dokumenti qeveritar, programi ka për qëllim krijimin e hapësirës së munguar për të rinjtë, në shërbim të formimit të mundësive për ta zhvilluar dijën dhe talentin, mundësinë e hapësirave për argëtim dhe kreativitet kulturor e sportiv. Kryetari i Ferizajt Agim Aliu, u shpreh i lumtur që Ferizaj është komuna e parë e cila e ka nëshkruar një memorandum të tillë, pasi që tha se edhe platforma e tij politike rininë e sheh si asetin kryesor për ta trajtuar më ndryshe e më me prioritet.
“Ne kemi një rini të mrekullueshme, por ajo nuk mund të jetë e tillë nëse edhe ne nuk kemi programe politike që e ruajnë atë si rini të shëndosh, sigurisht që ky program do të lehtësoj edhe më shumë edhe do të krijoj mundësinë që ata të rinj që sot i kemi në Evropë e që po i shfaqin kapacitete dhe talentet e tyre atje janë pikërisht për shkak të mundësisë, prandaj Programi Nacional për Rininë e ka pikërisht këtë qëllim që ata të kontribuojnë këtu në vendin e tyre”, tha Aliu.
Ky program i cili ka për qëllim përmirësimin e cilësisë në arsim, zhvillimin e shkathtësive sportive dhe atë kulturor, i ka të përfshira tri fusha kryesore: diturinë, mendimin kritik dhe sportin.
“Është për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës që nuk përjashton asnjë përkatësi gjinore apo të tjera dhe realisht në së bashku me kryetarin e Ferizajt do të fillojmë zbatimin e këtij projekti ku për herë të parë do t’i ofroj rinisë së Kosovës hapësirën që atyre u takon, e rinia e ka hapësirën tek aktivitetet e ndryshme edhe ato që janë të parapara me kurrikulë, por edhe ato që s’janë të përfshira”, tha Hoti.
Në Programin Nacional për Rininë, parashihet mbajtja e garave në nivel vendi në katër nivele kryesore, fillimisht gara në nivelin shkollor, në nivelin komunal, gara në nivelin universitar, si dhe në nivel republikan. U tha se në perspektivë janë paraprë edhe garat ndërshtetërore dhe me diasporën.