Familja 4 anëtarëshe Shabani nga Ferizaj, e cila deri dje ka jetuar në kushte të rënda, sot i është gëzuar hyrjes në shtëpinë e re, që u ndërtua nga kontributi i vëllezërve Sopa, të cilët janë pronarë të marketit “Eli-Ab”, si dhe shoqata humanitare “Feniks”.
Përveç marketit “Eli-Ab” dhe shoqatës “Feniks”, në ndërtimin e shtëpisë për familjen Shabani kanë kontribuar edhe anëtarë të Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, të cilët kësaj familje i kanë blerë truallin në fshatin Bibaj.
“Sot në këtë ditë gëzimi realizimi i qëllimit tonë u arrit që familjen e Maksut Shabanit me bë me strehim, unë si imam i Xhamisë së Madhe po ndihem mirë sepse inciativa ka rrjedhur prej këshillit të Xhamisë së Madhe dhe po ndihem mirë që kemi arritur me realizu qëllimin tonë, unë i falënderoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që kanë kontribuar që sot ta bëjmë familjen Shabani me strehim dhe lus që të gjithë atyre besimtarëve t’ua shtoj të mirat”, tha imami i Xhamisë së Madhe në Ferizaj, Mustafë Ahmeti.
Falënderues ndaj vullnetmirëve që po i ndihmojnë të varfërit, u shpreh kryetari i shoqatës humanitare “Feniks”, Milaim Jashari.
“Afër kësaj shtëpie që sot po e përurojmë gjendet edhe një shtëpi tjetër e përuruar para dy viteve dhe që të dyja janë të ndërtuara nga “Eli-Abi”, i cili sivjet i ka ndërtuar 7 shtëpi, nga 12 mijë euro bëjnë 84 mijë euro dhe nuk është hera e parë që “Eli-Abi” ndihmon këtë kategori, afër 40 shtëpi i ka ndërtuar me neve dhe unë u jam shumë falënderues ndaj kësaj firme, e cila po vazhdon të ndihmoj familjet në nevojë”, tha Jashari.
Ndërtimin e kësaj shtëpie më së shumti e mirëpritën anëtarët e familjes Shabani. Kryefamiljari Maksut Shabani, tha se gëzim më të madh nuk ka përjetuar asnjëherë në jetën e tij.
“I falënderoj të gjithë që më kanë ndihmuar, kemi jetuar në kushte shumë të rënda, kemi jetuar në një dhomë në të cilën nuk besoj se do të mund të jetonte ndonjë njeri, por tani i falënderoj të gjithë që kontribuan e më bën me këtë shtëpi”, tha Shabani.
Kjo është shtëpia e 16 e ndërtuar këtë vit nga shoqata humanitare ”Feniks” në bashkëpunim me donatorë.