Koloneli Roy J.Macaraeg është komandanti i ri i KFOR-it amerikan në Kosovë. Në ceremoninë e sotme të pranim-dorëzimit të komandës në kampin Bondsteel afër Ferizajt, ishte edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe e ngarkuara me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland.
Në përfundim të mandatit të tij, komandanti i deritanishëm i brigadës shumëkombëshe lindje, koloneli Nick Ducich, tha se është i nderuar që shërbeu në Kosovë. Pos falënderimit për njësitin polak, rumun dhe atë turk që ndihmuan në mbarëvajtjen e raporteve të mira mes komuniteteve në Kosovë, Ducich u shpreh falënderues edhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me policinë e Kosovës, FSK-në dhe komandën e ushtrisë së Serbisë për zhvillimin e 369 operacioneve të përbashkëta të kontrollit kufitar.
Ndërkaq, në konferencën e tij të parë për media pas pranimit të detyrës, koloneli Roy J.Macaraeg, u shpreh për vazhdimësinë e të gjitha detyrave të përcaktuara për misionin e KFOR-it pa ndonjë ndryshim esencial. Ai tha se edhe përkundër tensioneve të izoluara që kryesisht lidhen rreth procesit të dialogut, gjendja në Kosovë është e qetë.
Koloneli 45 vjeçar Roy J.Macaraeg, është komandant i brigadës së këmbësorisë në Havaje e cila është pjesë e Gardës Kombëtare Amerikane.