Nga 15 nëntori e deri më 15 mars secili drejtues i automjetit duhet t’i ketë me vete pajisjet dimërore, në të kundërtën gjobat për mosrespektimin e këtij udhëzimi administrativ janë të larta.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt Agim Gashi, tha se pikërisht për këtë qëllim kanë hartuar edhe një plan operativ, në mënyrë që siguria e pjesëmarrësve në komunikacion të jetë më e lartë.
“Kemi hyrë në kohën kur është aktivizuar edhe plani operativ sezona dimërore, ku bëjnë pjesë pajisjet dimërore për automjete të cilat janë në qarkullim. Pra, nga 15 nëntori deri 15 mars, secila veturë duhet të jetë e pajisur me goma të dimrit dhe me zinxhirë, prandaj apelojmë tek ngasësit e veturave që me kohë të pajisen dhe të jenë të përgatitur. Qëllimi është që të parandalohen aksidentet dhe secili vozitës t’i ketë këto pajisje, pra gomat e zingjirët për sigurinë e tij dhe sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik”, tha Gashi.
Për fillimin e sezonit dimëror, sa i përket pajisjeve, janë të njoftuar edhe shoferët.
“E dimë se ka filluar dje sezoni dimëror, unë menjëherë kam fillu me i mbajtë pajisjet, pasi pa to nuk guxojmë me dalë”, tha Ramadan Ajeti, vozitës.
“E di që duhet, por nuk i kam ndërru ende, edhe koha e mirë ndoshta, por e di se duhet me i pas me vete edhe gomat me i ndërru, pasi pajisjet i mbajë me vete për siguri timen jo se dënohem”, tha Shkuri Maksuti.
“Prej dje ka fillu koha, i kam të gjitha me vete, edhe zingjirët edhe gomat duhet me i pas për komunikacion, për sigurinë time, i ndërroj menjëherë kur fillon sezoni”, tha Gani Leskovci.
Ligji për trafikun rrugor parasheh që nga 15 nëntori deri më 15 mars, shoferët të cilët nuk i kanë pajisjet dimërore, dënohen me gjobë prej 40 deri në 300 euro.