Investimet që po ndodhin në fshatin e tij, në Dubravë të Ferizajt, deputeti i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, Danush Ademi po i përuron me video të drejtpërdrejta nga faqja e tij e facebookut.
“Pas këtij asfaltimi këtu në ”Sallahane” do të ndodhin edhe investime të tjera, po ashtu dy rrugë janë gati për asfalt edhe në fshatin Dubravë dhe kësisoj aty ku numri i votuesve është më i madh normalisht që edhe prioritetet e investimeve do të realizohen njësoj”, ishte shprehur deputeti Ademi.
Por, si duket këto investime infrastrukturore që po kryhen me buxhet të komunës së Ferizajt, kanë hasmuar edhe më shumë partitë politike që i takojnë komunitetit ashkali. Një reagim të ashpër për veprimet e deputetit Ademi, e bëri sot Partia e Ashkalinjve për Integrim. Kryetari i kësaj partie në Ferizaj, njëherit edhe zëvendësministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim Qazim Rrahmani, ka kritikuar Danush Ademin e PDAK-së që investimet e qeverissë lokale po ia atribuon vetës dhe partisë së tij. Rrahmani, thotë se në këtë mënyrë Ademi po i kepërdor projektet kapitale të cilat po realizohen në vendbanimet e komuniteteve pakicë.
“Ne PAI jemi të befasuar dhe shprehim keqardhje me politikën manipuluese dhe joserioze nga subjekti politik PDAK dhe deputeti i saj Danush Ademi se si ka guxim dhe të drejtë që punët e komunës që zhvillohen për qytetarë të komunitetit tonë t’i marrë si meritë personale dhe të subjektit të tij. Ademi duhet t’i kërkoj falje komunës dhe qytetarëve për manipulimin dhe propagandën politike që po zhvillon, sepse asnjëherë qytetarin ashkali nuk do të mund askush ta mashtroj, ka ardhur koha e ndryshimit dhe humbja e manipuluesve ordiner politik”, tha Rrahmani.
Rrahmani, ka shprehur frikën që banorët e vendbanimeve me ashakli mund të bien pre e naivitetit, duke besuar që investimet po kryhen nga Danush Ademi dhe jo nga kryetari Agim Aliu.
“Ne e kuptojmë që vetëdijësimi i qytetarëve tonë ndoshta është më i dobët dhe nuk mund ta dinë saktë se kush janë investitorët e projekteve që ndodhin në vendbanimet e tyre, por këta manipulues janë duke u qit pluhur syve të tyre për t’ia humbur edhe meritat kryetarit Agim Aliu. Është e turpshme se si deputeti i Parlamentit të Kosovës del para bagerave dhe thotë live se ja çfarë investimesh po kryejmë ne në komunën e Ferizajt”, tha Qazim Rrahmani.
E, derisa zëvendësministri nga PAI shprehu potpuri kritikash në adresë të deputetit të PDAK-së Danush Ademi, ky i fundit edhe gjatë udhëtimit vazhdon me lumturinë e tij.
“Muzikë, e kur punët të shkojnë mirë gjithandej edhe në parti ia vlenë të dëgjosh muzikë”, ishte shprehur Ademi në një video të postuar në facebook.