14 nëntori, Dita Botërore e Diabetit u shënua edhe në Ferizaj. Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë botën, por edhe në Kosovë është vetëdijësimi i qytetarëve për ta parandaluar dhe mbajtur nën kontroll këtë sëmundje.
Nga 100 qytetarë sa kishin bërë matjen e nivelit të sheqerit në gjak në sheshin e qytetit të Ferizajt, në 70 nga ta kishte rezultuar që vuajnë nga kjo sëmundje. Kështu njoftoi doktoresha e mjekësisë familjare Vjollca Dervishi–Pira.
“Kemi dalë në qytet këtu meqenëse është kampanja e ditës botërore kundër diabetit, qëllimi ynë kryesor është që të jemi në shërbim të popullatës dhe të shohim sa është numri i atyre që vuajnë dhe personat të cilët nuke dinë se e kanë këtë sëmundje, kështu që jemi dalë si ekip, fillimisht si faktor rreziku është tensioni arterial edhe në këtë rast diabeti, kemi marrë një numër diku rreth 100 pacientë, për 3 orë i kemi kontrollu dhe kemi parë që diku 60-70% të rasteve janë me sheqer, disa janë me terapi, ndërsa disa të tjerë nuk e dinë që e kanë këtë sëmundje”, tha Dervishi-Pira.
Ndërsa, qytetarët të cilët patën rastin të masin nivelin e sheqerit në gjak, thanë se këso kampanja do të ishte mirë të organizoheshin më shpesh.
“E mata shtypjen dhe sheqerin, shtypja më doli mirë, kurse sheqeri doli 14.8, por unë vuaj nga diabeti, është e vështirë kjo sëmundje, por po i rrimë gati, është mirë që kanë dalë këta këtu”, tha Habib Zejna.
“Edhe shtypja e gjakut edhe sheqeri më doli mirë, e kam mat sheqerin para një viti, ndërsa tani qenka rrit pak por jo shumë, kështu që e shfrytëzova rastin këtu me ba një vizitë, u kurseva me shku te mjeku”, tha Ilaz Kadriu.
Ndër simptomat e diabetit janë rritja e etjes dhe urinimi i shpeshtë, rritja e ndjenjës së urisë, humbje e papritur e peshës, dobësi dhe lodhje, shikim të paqartë, nervozizëm, e të tjera.