Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Ferizajt e thirrur nga opozita për të diskutuar për projektin “Bashkimi i Qytetit”, nuk zgjati as 3 minuta. Menjëherë pas numërimit të anëtarëve që në sallë ishin vetëm 19, kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi-Bytyqi, e mbylli seancën në mungesë kuorumi.
Kjo ngjalli pakënaqësi tek opozita, e cila e konsideroi këtë mosllogaridhënie të pushtetit për projekte me rëndësi për qytetarët.
“Është një fitore e opozitës pasi mungesa e kuorumit tregon për mungesën e pozitës për të qenë transparent dhe llogaridhënës. Absolut nuk kemi pasur qëllim që t’i bëjmë dikujt kritika të pa vend, por argumentimin e projektit që mendojmë se i tejkalon caqet dhe interesat e kësaj gjenerate, por pa marrë parasysh opozita nuk mjafton që ta krijoj kuorumin, ju e dini që ka edhe sjellje brenda pozitës që sillen herë si pozitë herë si opozitë, ata kanë konfirmuar se do të jenë të pranishëm në seancë, por pushteti i ka instrumentet e veta që mund t’i josh apo edhe t’i pengoj që të marrin pjesë në seancë”, tha Muharrem Svarqa nga LDK.
“Gjatë gjithë kohës kemi thënë se ky projekt është përcjell me mungesë të transparencës dhe llogaridhënies dhe dështimi i kësaj seance të sotme të thirrur nga ana e opozitës dhe të një kandidati të pavarur veç sa e konfirmon edhe një herë se pozita nuk është e gatshme të përballet me asamblistët dhe qytetarët që të jep informata rreth këtij projekti që është fontan për ne asamblistët që jemi të zgjedhurit e popullit, por gjithsesi edhe për qytetarët e Ferizajt. Mungesa e gatishmërisë që të jenë në seancë kryetari i komunës dhe ekzekutivi që të bëjë shpalosjen e këtij projekti tregon më së miri se është një projekt para dështimit dhe nuk e kanë gatishmërinë që të përballen me opozitën”, tha Enver Haliti nga LVV.
Kurse, shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së Arian Imeri, mospjesëmarrjen në seancë e arsyetoi me kursim të buxhetit të komunës.
“Ironike fakti që ne me organizu një seancë të jashtëzakonshme e cila ka me u kushtu tatimpaguesve 10 mijë euro sa kushton pak a shumë një seancë me meditje, transmetime live që shkon, prandaj nuk shoh ndonjë arsyetim pse me u bë tërë ato shpenzime për një projekt që ka qenë transparent dhe një projekt që është duke ndodhur në qendër të qytetit dhe gjithë asamblistët që kalojnë aty pari e shohin këtë projekt, qëllimi nuk është aty, mendoj se qëllimi që e kanë thirrë seancën se fundja janë të njëjtit që kanë qenë edhe kundër projektit të spitalit e varrezave, pra tendenca është që me i zbeh projektet që po ndodhin gjatë këtij ekzekutivi, prandaj ne normal që nuk kemi marrë pjesë”, tha Arian Imeri nga PDK.
Ndërsa, drejtori i Urbanizmit Lulzim Aliu, theksoi se punët që po i kryen qeveria lokale po i pengojnë opozitës, e cila, sipas tij, në çdarëdo mënyre po mundohet t’i ndërprej ato.
“Kjo gjendje e opozitës mund të përmbledhet me një fjalë, frikë e panikë dhe kjo është panikë nga suksesi ynë, nga suksesi i kësaj qeverisje lokale të prirë nga kryetari Aliu, mund të jetë edhe e kuptueshme kjo sepse suksesi ynë mund të shuaj shpresat e tyre për t’u kthyer një ditë këtu me besimin e qytetarëve ferizajas, projekti ”Bashkimi i Qytetit” do t’i jap imazh të ri qytetit dhe kjo mund të jetë e tmerrshme për ta, ne kemi qenë të përgatitur për seancë, por nuk është çështje e ekzekutivit për me u marrë me numrat në mbledhjen e Kuvendit, por vet fakti që një çështje kaq e thjeshtë mu bë temë e jashtëzakonshme me një senacë të jashtëzakonshme është bërë e qartë se kjo seancë ka qenë politike”, tha Aliu.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për jo transparencë, drejtori Aliu tha se transparenca nuk mund të vlerësohet vetëm përmes një seance të jashtëzakonshme.
“Transparenca jonë është e përditshme, por kur transparenca kërkohet me seancë të jashtëzakonshme nuk është transparencë por detyrim dhe ne po u themi se asnjë nga ata deputetët që kanë nënshkru me thirrë seancë të jashtëzakonshme asnjëri nga ta nuk është interesu për këtë projekt, asnjëherë në drejtorinë time nuk kanë kërku qasje me pa se si ka me u realizu ky projekt”, tha Aliu.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, paralajmëruan thirrjen edhe të një seance tjetër për projektin ”Bashkimi i Qytetit”.