Për ta zbatuar ligjin për kontrollin e duhanit, siç duket në Ferizaj kanë dështuar të gjitha institucionet. Edhe pse në filim të miratimit të këtij ligji u panë disa përpjekje në këtë drejtim, kohët e fundit sikur të gjithë i mbyllën sytë ndaj kësaj dukurie. Duhani sot po pihet gjithandej, sikur në lokale të mbyllura e po ashtu edhe në vende të tjera publike. Inspektorati komunal po e pranon se kjo është një sfidë e përhershme për ta, pasi që për zbatimin e këtij ligji duhet të jetë një vullnet më i shtuar nga niveli qendror.
“Ka pasur ngecje, ka ngecje ende megjithëse nuk jemi ndalur, puna jonë ka vazhuar sidomos nëpër biznese hoteliere sidomos në ato që funksionojnë mbyllur gjatë natës, kemi shqiptuar edhe fletëparaqitje, por që a jemi të kënaqur jo këtë nuk mund ta them, sepse qëllimin nuk e kemi arritur, sidomos në këtë kohë dimri zbatimi për ligjin për kontroll të duhanit është më sfidues, prandaj na duhet një ndihmë më e madhe nga niveli qendror, prej Agjencionit të Ushqimit. Kjo duhet të merret më seriozisht, por jo vetëm një komunë apo një organ, por nga vet niveli qendror, duhet të bashkëpunojmë inspektorët sanitar të të dyjave niveleve, por edhe një bashkëpunim në këtë drejtim duhet ta kemi me vet pronarët e bizneseve. Kam bindje se edhe këtij problemi inspektorati do t’i dalë në fund. Ne kemi planifikuar që pikërisht këto ditë të dalim me aksione kundër pirjes së duhanit në vende të mbylluara”, tha inspektori Enver Sopa.
Por, një tjetër gjë që sipas Inspektoratit duhet të bëhet para se të fillohet me gjoba, janë fushatat sensibilizuese.
“Megjithëse është më shumë problemi tek vetëdija ne hasim në duhanpirës që tek shtëpitë e tyre nuk e konsumojnë duhanin brenda, e kur dalin nëpër kafene cigaret as që i ndërprejnë. Këtu unë kujtoj se institucionet duhet të bëjnë më shumë në ndërgjegjësimin e kësaj teme”, tha Sopa.
Televizioni Tema, kontaktoi me shumë pronarë të kafeneve të këtushme, të cilët u shprehen të gatshëm për ta zbatuar këtë ligj, por pa dashur të prononcohen para kamerës, shumica prej tyre u ankuan se zbatimi i këtij ligji duhet të bëhet për të gjithë njësoj, pasi që herave të tjera ka pasur seleksionim, diku pihej e diku dënohej.
Ndryshe, sipas ligjit për kontrollin e duhanit, dënimet që shqiptohen për personin fizik cili haset duke pirë duhan është 50 euro, për persona përgjegjës 500 euro, ndërkaq për pronarin e biznesit gjoba shkon deri në 4 mijë euro.