Procesi mësimor në klasën e parë të shkollës fillore “Mejdi Xhaferri”, në fshatin Mirosalë po zhvillohet me vështirësi. E gjithë kjo për shkak të numrit shumë të madh të nxënësve në një klasë. Numri prej 38 nxënësish brenda një klase, po ia pamundëson zhvillimin normal të punës mësueses Meleke Imeri, e cila duhet të punoj me secilin nxënës veç e veç kur dihet rëndësia që ka për fëmijë klasa e parë e shkollës.
“Jam mësuese e klasës së parë, po shihet që janë 38 nxënës, nuk ka mundësi brenda një ore mësimore me i verifiku të gjithë, e sidomos kur i mësojnë shkronjat, më duhen katër orë mësimore me i shti me lexu të gjithë, kjo është gjendja, janë nga 3 nxënës me një bankë, kemi edhe ankesa nga prindërit sepse këta janë fillestarë dhe duhet të angazhohemi shumë me ta, pyesin se kur do të bëhet një zgjidhje”, tha Meleke Imeri, mësuese e klasës së parë në shkollën “Mjedi Xhaferri”.
Kurse, drejtori i kësaj shkolle Naim Bytyqi, tha se ka disa muaj që kanë bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit për ndarjen e kësaj klase, por se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
“Shumica e prindërve që i kanë fëmijët aty janë ankuar pikërisht tek unë si drejtor dhe unë ankesat e tyre i kam përcjellur edhe në Drejtorinë e Arsimit, por edhe kërkesën e kam bërë para disa muajve, me fillim të vitit shkollor kërkesa ka qenë e deponuar në Drejtorinë e Arsimit, ne në atë kërkesë kemi kërkuar të bëhet ndarja në dysh e kësaj klase, pasi 40 minuta ora mësimore po i bie që asnjë minutë të plotë nuk mundet mësuesja t’i përkushtohet një nxënësi. E kemi mundësinë që të ndahet në dysh kjo klasë, por na nevojitet vetëm një mësues apo mësuese. Nga Drejtoria na është thënë që gjoja buxheti është i limituar dhe nuk kemi marrë dritë jeshile, por në të ardhmen po shpresojmë dhe po presim që të na bëhet një zgjidhje dhe do të ndahet kjo paralele”, tha Bytyqi.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, tha se janë duke e shqyrtuar kerkesën e drejtorisë së shkollës ”Mejdi Xhaferri”, mirëpo tash për tash nuk mund të bëjnë zgjidhje për shkak të pamundësisë për të futur në listë të pagave mësimdhënësin që do ta angazhojnë atje, por theksoi se një problem i tillë do të zgjidhet në gjysmëvjetorin e dytë.