Familja 10 anëtarshe Loku nga fshati Rakaj i Ferizajt, i është gëzuar hyrjes në shtëpinë e re e cila u ndërtua nga kontributi i bashkatdhetarëve nga Zvicra dhe Gjermania si dhe shoqata humanitare “Feniks”.
Njëri ndër donatorët e ndërtimit të kësaj shtëpie, Rexhep Rifati, tha se shoqata “Feniks” po bën një punë të madhe, prandaj apeloi tek mërgimtarët që të kontribuojnë në këtë shoqatë në mënyrë që ndihma për familjet skamnore mos të ndalet.
“Ky është një kontribut i vogël familjar, sepse unë edhe familja ime e përcjellim në vazhdimësi këtë shoqatë dhe fondin e bursave për studentë ku mundohemi të kontribuojmë për to, sepse unë dhe familja ime e dimë se çka do të thotë të presësh për një bukë, po ashtu një punë të jashtëzakonshme po e bën edhe “Eli-Abi” dhe “Feniks”, të cilët kanë ndërtuar mbi 200 shtëpi që është për të marrë lakmi. Unë apeloj tek të gjithë bashkëmërgimtarët e mi që ta mbështesin “Feniks”-in, fondin e bursave dhe ardhmërinë e Ferizajt”, tha Rifati.
Kryetari i shoqatës humanitare “Feniks”, Milaim Jashari, u shpreh falënderues ndaj donatorëve të cilët po i besojnë kësaj shoqate.
“Kjo familje ka qenë në gjendje shumë të vështirë, donatorët e kësaj shtëpie janë nga Zvicra, nga Gjermania, që i përshëndes shumë, është Jakupi dhe Fadili me shokët e vet nga Gjermania, këta shokë nga Zvicra kanë participu me 12 mijë euro edhe në Kaçanik, po ashtu edhe Rexhep Rifati i cili ka kontribu me 700 euro dhe unë jam shumë i gëzuar që kemi kaq shumë miqë dhe dashmirë që na ndihmojnë, po ashtu truallin për këtë familje e kanë blerë fqinjtë e kësaj familje me ç’rast jam shumë mirënjohës nga të gjithë’’, tha Jashari.
Ndërtimin e kësaj shtëpie më së shumti e mirëpritën anëtarët e familjes Loku. E zonja e shtëpisë Nexhybe Asllani, tha se gëzim më të madh nuk ka përjetuar asnjëherë në jetën e saj.
“Jemi 10 anëtarë, kemi qëndruar në një shtëpi të huaj me qira dhe kemi marrë një social prej 100 eurove me të cilin e kemi pasur shumë vështirë të mbijetojmë, unë e falënderoj Milaim Jasharin i cili na ka vizituar dhe e ka kuptuar gjendjen tonë, unë i falënderoj të gjithë që kanë kontribu për ndërtimin e shtëpisë sime”, tha Asllani.
Shoqata ”Feniks” njoftoi se gjatë ditëve në vijim do të përuroj edhe tri shtëpi të tjera.