Pavarësisht faktit që këto punëtore nuk kanë marrë pagat e tyre tash e tre muaj, pastrimin e zyrave të komunës po e kryejnë me përgjegjesi të plotë. Janë 22 punëtore të pastrimit, kryesisht gra familjare të cilat ankohen se kanë hyrë në muajin e 4-të ndërsa firma kontraktuese me komunën ende nuk i ka paguar për punën e përditshme që bëjnë. Thonë se ky realitet u ka ardhur në majë të hundës, por këtë gjendje po e durojnë sepse s’kanë nga t’ia mbajnë.
“Tretin muaj veç e kena kry tash kemi hyrë në të katërtin, ndërsa pagat ende nuk na kanë dalë. Kemi fol me mbikqyrësin tonë, me shefin, me këta të komunës, na kanë thanë jo sot jo nesër, por zgjidhje s’po na bën askush. Secila nga ne që pastrojmë këtu jemi me gjendje të vështirë ekonomike, unë personalisht jetoj me qira, kam hyrë borxh me ia pagu së paku dy muajt e fundit, thjesht kështu jetojmë pothuajse të gjitha, kemi fëmijë, familje, jetojmë vetëm nga këto paga edhe pse nuk e kalojnë shifrën 260 euro për asnjërën nga ne, por pavarësisht krejt kësaj situate ne po vazhdojmë ta kryejmë punën që kemi, po i pastrojmë zyrat, korridoret, toaletet, gjithçka çfarë kemi obligim, asnjëra nuk e ka neglizhuar punën si shkak i mungesës së rrogës”, tha njëra nga pastrueset e cila nuk deshi ta tregonte emrin.
Me hallin e këtyre pastrueseve janë të njoftuar edhe pushtetarët ferizajas. Zëdhënësi i komunës Selim Marevci, tregoi se në mungesë të alokimit të buxhetit kjo kategori punëtorësh është viktimë e mosmarrjes së pagave me kohë. Marevci tha se firma kontraktuese për këtë shërbim “Mbrojtja e Ambientit”, nuk ka marrë mjete nga komuna për t’i paguar punëtoret që janë nën menaxhimin e saj.
“Sot drejtoresha e Financave e ka nënshkruar pagesën e muajit tetor, ndërsa sa i përket muajit nëntor është në fazën e përmbarimit është tek thesari dhe pritet që shumë shpejt të ekzekutohet. Kësisoj ne presin që shumë shpejt t’i rrumbullakojmë të gjitha pagesat që komuna i ka borxh ndaj kompanisë private siç është “Mbrojtja e Ambientit”. Ndryshe, këta punëtorë janë të angazhuar përmes një kontrate që komuna bashkë me kompaninë private e zbatojnë. Po ju informoj se tash është po ashtu në fazën e tenderimit një tender për këtë qëllim dhe pritet që shpejt të dalë kompania fituese e cila do të merret me mbikëqyrjen e pastrueseve të komunës dhe QKMF-së. Ju them shumë sinqerisht që edhe drejtoresha e Financave, por edhe vet kryetari i komunës janë angazhur këto ditë që të veprojnë më me emërgjencë për ta kryer këtë obligim ndaj kësaj kategorie punëtorësh, të cilave edhe ju kërkoj falje por edhe ju shpreh mirënjohje për punën që kanë bërë vazhdimisht, pa llogaritur problemin e pagave“, tha zëdhënësi Marevci.
Ndryshe, njëri nga partnerët e firmës së pastrimit “Mbrojtja e Ambientit” është Bajram Tahiri, dikur valltar i ”Kastriotëve” e tani këshilltar politik i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.