Koha optimale për të mbjellat vjeshtore ka filluar që në muajin tetor, mirëpo mungesa e reshjeve të shiut, që është e domosdoshme për mbjelljen e kulturave bujqësore, ka bërë që shumica e fermerëve në komunën e Ferizajt mos të fillojnë mbjelljet vjeshtore.
Fermeri Xhevat Uka nga fshati Prelez i Jerlive, i cili planifikon që sivjet të mbjell rreth 300 hektarë me grurë, thotë se ka nisur të punojë në këtë drejtim, mirëpo kushtet jo të favorshme po ia pamundësojnë zhvillimin normal të kësaj veprimtarie.
“Është thatësi mirëpo për shkak të kohës optimale që ka kalur me mbjell grurin kemi filluar që 5-6 ditë, nuk është shumë e kënaqshme, por ne duhet të bëjmë punën tonë me mbjell, mandej varet nga klima, me ra shi rregullohet bëhet më mirë, pasi edhe shumë fermerë nuk kanë filluar ende se është thatësi e madhe, por unë kam fillu jam duke e punuar vetëm me piator sepse me lëvru nuk po bën për shkak se është thatësi e madhe dhe është problem, por pasi merremi me këtë lëmi duhet t’i bëjmë të mbjellat. Unë që sa vite merrem me këtë veprimtari, por sikurse sivjet nuk mbaj mend që ka ndodhë, ka ndryshu klima shumë”, tha Uka.
Përveç brengës së rendimenteve që do t’i ketë sivjet, fermeri nga fshati Prelez i shqetësuar është edhe me koston e lartë që përfshijnë mbjelljet vjeshtore.
“Edhe fara është shtrenjtë edhe plehu, por më së shumti po na kushton nafta pasi për çdo ditë ka ngritje, çmimi i farës nuk ka lëviz shumë, por me naftë nuk jemi aspak të kënaqur me çmimin që është bërë”, tha fermeri Uka.
Ndërsa, agronomi Avdullah Isufi, tha se në një situatë të tillë fermerët duhet ta shtojnë sasinë e farës në mënyrë që rendimentet të jenë të kënaqshme.
“Unë iu preferoj fermerëve që në ato sipërfaqe ku mund të lëvrohet të fillojnë dhe ta mbjellin grurin, sepse shumë më mirë është që fara të hyjë në tokë në mënyrë që kur të kemi lagështi ajo të filloj procesin e mbirjes. Tani pasi që kemi kaluar afatin optimal, preferohet që bujqit ta rrisin sasinë e farës për njësi të sipërfaqes do të thotë për hektarë dhe mundësisht t’i numërojnë ditët, do të thotë prej 1 nëntorit e tutje të shtohet bile nga 1 kilogram më tepër për çdo ditë të vonuar. Nga përvoja mbi 30 vjeçare si agronom, ne grurin e kemi mbjellur edhe natën e Vitit të Ri, por krejt pastaj varet se çfarë klime do të jetë në muajt janar dhe shkurt apo çfarë dimri do të kemi, në ato rrethana kur kemi temperatura të ulëta atëherë bima e grurit rrezikohet nga ngricat pasi nuk është e përgatitur për dimrin, në rastet kur kemi pasur dimër të butë nuk reflektohet shumë, pra e kemi ditur se edhe kur kemi mbjell pas afatit optimal të marrim rendimente shumë të mira kuptohet me një përkujdesje më të mirë gjatë pranverës, me riplehrime, spërkatje dhe operacione të tjera që kryhen në kulturën e grurit”, tha Isufi.
Nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kanë njoftuar se reshje të shiut do të ketë rreth datës 20 nëntor.
Për këtë vit në territorin e Ferizajt, sipas Drejtorisë së Bujqësisë, janë paraparë të mbjellen 3 deri 4 mijë hektarë grurë.