Nuk është e gjatë as 100 metra, por për banorët e rrugës “Idriz Islami”, që gjendet përballë Fabrikës së Tubave në Ferizaj, mosrregullimi i saj është kthyer në problem serioz.
“Kjo është rrugë 50 vjeçare nuk është rrugë e arave, por ka mbetur në këtë gjendje, vitin e kaluar na patën premtuar, filloj një ditë bageri me punu, kubëzat kanë qenë në rrugë ditën tjetër i kanë larguar, kam qenë tek drejtori disa herë por ishte zënë, kanë mbetur pusetat e hapura, mandej ne banorët jemi detyruar t’i mbyllim vet pasi ishin rrrezik për fëmijët, ndërsa tani kur i kemi mbyllur kanë mbetur shumë lartë dhe po i dëmtojmë veturat, për 70 metra nuk ka buxhet komuna, ndërsa për me shtru rrugë të arave po ka”, tha Ramë Veseli.
“Të gjitha rrrugët afër nesh i kanë asfaltu, vetëm rrugën tonë e kanë lënë në gjysmë, jemi detyru ne vet banorët me rrafshu, por kanë mbetur pusetat shumë keq, unë vet kam qenë në komunë, por më kanë thënë ka kohë për këtë rrugë, ka pas problem me puseta, kishim frikë se rrezikohen fëmijët, e tash pasi i kemi mbyllur kanë mbet lartë e po i dëmtojnë veturat”, tha një banore e rrugës “Idriz Islami”.
“Prej vitit të kaluar tri herë më kanë shti me i heq skelet që kam qenë duke punuar se kanë me ardhë me i shtru kubëzat, por deri sot nuk i kanë shtru, ka qenë rrezik i pusetave pasi kanë qenë 3 metra thellë e tash i kemi mbuluar me kapakë që mos me ra fëmija bile”, tha një banor tjetër.
Në lidhje me shqetësimin e këtyre banorëve TV Tema tentoi të marrë një përgjigje nga drejtori i Infrastrukturës Arbër Bytyqi, mirëpo u tha se ai ndodhet jashtë shtetit.