Komuna e Ferizajt ka formuar Komitetin e Auditimit të Brendshëm, puna e së cilit është që të përcjell të gjeturat dhe rekomandimet e auditorit të jashtëm, të shikoj menaxhimin e financave publike, të ofroj këshilla në të gjitha fushat e përgjegjësisë së menaxhimit të buxhetit dhe të jetë mbikëqyrës i shpenzimit të parasë publike dhe i disiplinës financiare në shpërndarjen e buxhetit.
Kryetar i këtij komiteti është emëruar Medain Hashani, i cili tha se ky komitet do të jetë shtylla kryesore e kontrollit dhe menaxhimit të parasë publike.
“Roli jonë në këtë komitet do të jetë që ne ta bëjmë një mbikëqyrje, një kontroll lidhur me menaxhimin e buxhetit të komunës dhe ky buxhet do të kontrollohet edhe në aspektin e matjes së performancës, komiteti jonë do të jetë shumë aktiv në realizimin e objektivave që i përcakton kryetari i komunës, ne do të jemi shtylla kryesore e kontrollit dhe menaxhimit të buxhetit, po ashtu rol të veçantë do të jetë edhe pjesa e objektivave që janë të përcaktuara nga të gjitha drejtoritë dhe menaxhimi i parasë publike konform rregullave dhe programeve që duhet t’i ketë një drejtori”, tha Hashani.
Hashani tha se ky komitet do të angazhohet edhe në kontrollimin e Zyrës së Prokurimit.
“Raportet e auditimit të jashtëm të cilët kanë qenë për komunën e Ferizajt kanë pasur të gjetura dhe rekomandime jo të mira në punën e menaxhimit të buxhetit, kështu që ne të gjitha rekomandimet që janë dhënë nga ana e auditorit të jashtëm do t’i kontrollojmë dhe do t’i monitorojmë të gjitha drejtoritë në kuadër të komunës, në të njëjtën kohë edhe Zyrën e Prokurimit dhe të gjitha rekomandimet që janë dhënë në këtë fushë ne do t’i monitorojmë dhe do t’i japim rekomandimet tona për kryetarin e komunës që të ketë një transparencë më të lartë të menaxhimit të financave publike, por edhe të këtë një transparencë më të lartë për të gjithë qytetarët e komunës sonë”, tha Hashani.
Komiteti i Auditimit i cili do të ketë mandat 3 vjeçar, përveç kryetarit është i përbërë edhe prej anëtarëve: Shkurte Azizi, Elvis Gashi, Nesret Ademi dhe Orges Osmani.