Në vazhdimin e seancës së Kuvendit Komunal të Ferizajt, e cila u ndërpre dje për shkak të mungesës së kuorumit, u miratua marrëveshja e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit në mes të komunës së Ferizajt dhe organizatës ”Caritas Kosova”, e cila ka për qëllim rikthimin e projektit “Ngritja e përkujdesit social-shëndetësor, shtëpiak dhe ambulantor në komunën e Ferizajt”.
Në seancën e sotme nuk mori pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, parti këto të cilat në mbledhjen e djeshme kërkuan që kësaj marrëveshje t’i bashkëngjitet një raport i Zyrës Ligjore.
Gëzim Haxhimusa nga PDK-ja, kërkoi që kjo marrëveshje të parasheh punësimin e njerëzve meritor.
“Pata qëllim edhe dje me fol, por u krijuan rrethanat asisoj, unë jam për me përkrah këtë marrëveshje, por le të kenë kujdes në punësim, le të punësojnë njerëz që nuk kanë të punësuar asnjë në familje, e jo t’i punësojnë 3-4 e dikush hiç, kjo është kërkesa ime”, tha Haxhimusa.
Në këtë mbledhje u mor vendim që të formohet edhe komisioni për emërtimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike në komunën e Ferizajt. Nga Partia Demokratike e Kosovës u propozua Faik Sylejmani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Përparim Çalaj, nga Aleanca Kosova e Re u propozua Vesel Ramadani, ndërkaq nga Drejtoria e Urbanizmit Fatbardha Ajeti, kurse në mungesë të LDK-së dhe Vetëvendosjes u vendos që emrat nga këto parti të propozohen në mbledhjen e ardhshme.
Xhavit Zariqi nga AAK-ja, kërkoi që të definohet statuti i këtij komisioni.
“Unë para se të propozoj do të doja të sqarohet mirë se çfarë obligimi ka ky komision, pasi komisioni paraprak i ka përzi kompetencat e veta dhe e ka përzi punën e emërtimeve aq keq sa që është e vështirë me sqaru, kështu që është mirë të merret vendimi se komsioni ka për qëllim emërtimin dhe jo më riemërtimin dhe ndryshime sipas dëshirave të tyre, në të njëjtën kohë mendoj se duhet të jetë një komision për ankesa, kështu që është mirë të definohet edhe se si do të paguhen, a do të jetë çështje e pagës mujore siç ka qenë paraprakisht apo do të paguhen me mëditje varësisht sa mbledhje i mbajnë”, tha Zariqi.
Kuvendit të Ferizajt iu shtua edhe një asamblist i pavarur. Pas dorëheqjes së Nehat Mustafës nga PDK-ja, sot nga Lëvizja Vetëvendosje u largua Ali Halimi.
“Unë deri më sot kam qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, normalisht shef i grupit, nga sot nuk jam pjesë e këtij subjekti politik dhe të gjitha referencat si shef i grupit ju kisha lutur që t’i bartni tek të tjerët, pasi unë më nuk e përfaqësoj këtë subjekt”, tha Halimi.
Anëtarët e Kuvendit Komunal vendosën edhe për shpërndarjen e druve të zjarrit për familjet skamnore, të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj.