Propozim-vendimi për marrëveshjen e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit në mes të komunës së Ferizajt dhe organizatës ”Caritas Kosova” për projektin “Ngritja e përkujdesit social-shëndetësor, shtëpiak dhe ambulantor në komunën e Ferizajt”, ka bërë që partitë opozitare të lëshojnë mbledhjen e Kuvendit Komunal dhe që seanca të ndërprehet në mungesë kuorumi.
Fillimisht arsyetimin për këtë propozim-vendim e ka dhënë drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Besnik Berisha, duke treguar se vlera e këtij projekti do të jetë 320 mijë euro, ku 300 mijë euro do të ndahen nga komuna e Ferizajt, ndërsa 20 mijë nga ”Caritas Kosova”.
Gjatë debateve për dhe kundër lidhur me këtë marrëveshje, opozita kërkoi që asaj t’i bashkëngjitet edhe një raport i Zyrës Ligjore. Vërejtje pati edhe nga Nehat Mustafa, i cili deri sot ishte anëtar i Grupit Kuvendor të PDK-së.
“Unë jam shumë i sigurt që nuk është kundër asnjë asamblist apo qytetar që të rrisim punësimin e punëtorëve, neve asnjëherë nuk na është sjellur një raport se cilat kanë qenë pikat e ngecura të marrëveshjes së kaluar, pasi kur i dimë ato ekziston mundësia mos me pas problem me marrëveshjen e re, është thënë se përmes kësaj marrëveshje ka pasur keqpërdorime apo punësime klienteliste, në këtë rast ne po hyjmë në një marrëveshje pa e ditur çka është kjo kontratë. Po thuhet se janë 200 punëtorë me kontrata në vepër dhe kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, u është sublimuar e drejta qytetarëve të tjerë, një keqpërdorim që është bërë në të kaluarën pse ta bëjmë edhe ne, është momenti i fundit që t’i themi të bardhës së bardhë dhe të zezës e zezë, nëse shpallet një konkurs me një çerdhe gati se 90% e emrave përflitet se kush ka me u përzgjedh dhe sipas kësaj logjike nëse s’ka lidhje me pushtetin mos të shpresoj për punësim në institucione publike, ky është qëndrimi im, unë gati nga fillimi nuk kam qenë pjesë e grupit parlamentar të PDK-së, kështu që nga sot nuk jam pjesë e grupit parlamentar të PDK-së”, tha Nehat Mustafa.
“Na keni akuzuar se kjo kontratë ka qenë e jashtëligjshme dhe a mund të na tregoni tani se a është e ligjshme nga ana e juaj, gjatë gjithë kohës keni akuzuar pushtetin e kaluar për kontrata afatgjate, ndërsa ju sot po bëni një kontratë 5 vjeçare, ku do t’i merrni 300 mijë euro për këtë kontratë, pasi ju thoni se keni borxhe, po ashtu do të duhej të kishte një tender apo konkurs për këtë kontratë ku do të mund të konkurronin ndoshta edhe organizata të tjera, po ashtu nuk është saktësuar sa mjekë duhet të merren apo sa punëtorë ka nevojë të merren, ne mendojmë se kjo kontratë është e kundërligjshme edhe pse e dimë se kjo kontratë është e nevojshme, por duhet të gjendet një mënyrë tjetër dhe jemi të bindur se ministria do ta kthej si kundërligjore”, tha Gëzim Kokollari i LDK-së.
“Është sjellur në formë të kundërligjshme kjo kontratë dhe kjo mëton të jetë një keqpërdorim, para Vitit të Ri janë ndërprerë kontratat ndërsa tani po fillohet e njëjta logjikë që të nënshkruhet një marrëveshje e re që rehaton militantë të ri të partisë, nuk po kërkohet të flitet për një vlerë prej 300 mijë eurosh, por për një vlerë për 1 milion euro e gjysmë, pasi kjo është kontratë 5 vjeçare e t’i japim këto para një organizate për të cilën është zgjedhur pa konkurs, ne nuk do ta votojmë këtë marrëveshje që me votën tonë të dëmtojmë shumicën e qytetarëve”, tha Enver Haliti nga LVV.
“Po kërkohet që të votohet diçka e cila ka paqartësi, ashtu keni vepru me vendime të tjera, si për spitalin, për varrezat. A është konsultu Zyra Ligjore për këtë kontratë dhe të na thotë ajo se është gjithçka në rregull me ligjin në këtë formë që është, unë kisha sugjeru që të shtyhet kjo marrëveshje dhe të sjellet me interpretim nga Zyra Ligjore”, tha Balton Dërguti, LDK.
“Caritasi nuk ka kërkuar që të ndërprehet marrëveshja, ajo nuk kërkon të ndërprehen marrëveshjet e veta, por ju keni kërkuar siç keni bërë me Ministrinë e Infrastrukturës nga paguhet ky 1 milionësh, a është në buxhet, ne e kemi bërë atë marrëveshje, por nuk e kemi pasur problem këtë rregullore që është bërë së fundmi, ne jemi të interesuar që Zyra Ligjore që paguhet për këtë ta nënshkruaj këtë marrëveshje dhe ne e aprovojmë, por jo në mënyrën se kurrkujt nuk i japim llogari, ne e aprovojmë nëse kjo është e miratuar me ligj”, tha Muharrem Svarqa nga LDK.
Akuzave të asamblistëve iu përgjigj nënkryetari i komunës, Naim Ferati.
”Sa i përket këtyre shqetësimeve dokumenti për të cilin po diskutojmë nuk është i ri për asnjërin nga ne, por edhe për qytetarët. Nuk mund të pajtohem me atë që thirren në disa akte juridike të cilët nuk e dinë misionin e atij akti juridik. Nuk është e drejtë të kërkoj që të bëjmë falje publike, për arsye se nuk mund të kërkojmë falje për një gjë që nuk ka ekzistuar, marrëveshjes së fundit i kishte kaluar afati dhe nuk është bërë asnjë shfuqizim, kjo kontratë 5 vjeçare është kontrata më e mirë që mund të bëhet për shëndetësinë, ndërsa ato infrastrukturore dallojnë nga kjo, ne me një kujdes të mirë po arrijmë t’i shlyejmë këto borxhe. U bë ftesë të mos votohet për shkak të financimit publik të organizatave joqeveritare, ky dokument nuk ka për bazë atë që po trajtojmë sot, ne sot nuk po bëjmë subvencionim të ”Caritasit”, por nënshkrim të marrëveshjes, po miratojmë një draft marrëveshje për ofrimin e disa shërbimeve dhe këto shërbime janë në të mirë të qytetarëve’’, tha nënkryetari i komunës Naim Ferati.
Përveç kësaj pike e cila në mungesë kuorumi u shty për në seancën e ardhshme, pa u diskutuar dhe miratuar mbetën edhe propozim-vendimi për formimin e komisionit për emërtimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike në komunën e Ferizajt, si dhe propozim-vendimi për shpërndarjen e druve të zjarrit.