Shfaqja “Gratë” e realizuar nga teatri shqiptar i Shkupit, është shfaqja fituese e edicionit të 48-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, i cili është mbajtur përgjatë 8 netëve në qytetin e Ferizajt.
Juria e përbërë prej Fadil Hysajt, Blerta Rrustemit-Nezirajt dhe Nexhat Xhoklit, vendosi që shfaqjen me regji të Qendrim Rijanit, ta shpërblej edhe për regjinë më të mirë, për rolin e dytë femër të luajtur nga Amernis Jovanovska-Nokshiqi, si dhe iu nda çmimi i gazetarëve.
Regjisori i shfaqjes fituese të këtij edicioni, Qendrim Rijani, tha se për këto çmime kanë punuar shumë.
“Jemi përpjekur vazhdimisht për të qenë pjesë e këtij festivali, po ashtu ishim pjesë e këtij festivali edhe në kohën e rimëkëmbjes të sij për ta nderuar, sigurisht që pastaj është kënaqësi të jesh pjesë e këtij festivali që nga viti në vit shfaqjet janë më të ngritura, sivjet ishte fati i teatrit shqiptar edhe pse kishte vlera nga të githa trupat teatrale, për neve është kënaqësi të marrësh katër çmime në këtë edicion dhe falënderoj gjithë trupën e tetarit shqiptar”, tha Rijani.
Drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj Xhemile Murati- Shabani, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrje, tha se teatri i Ferizajt pati nderin të jetë nikoqir i aktorëve me renome botërore Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktari.
“Përshëndes të gjitha trupat teatrore pjesëmarrëse, po ashtu edhe publikun që ishin çdo natë, ne kishim nderin që hapjen e festivalit e bëm me një shfaqje mysafire ngë Franca dhe kishim nderin që kishim aktorin e mirënjohur Rexhep Mitrovica dhe aktorin Arben Bajraktari”, tha ajo.
Në edicionin e 48-të të Festivalit të Teatrove aktori më i mirë i Festivalit u shpall Shpëtim Selmani, për rolin në shfaqjen “Zoti i Masakrës” të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërkaq aktorja më e mirë Elia Zaharia nga Teatri i Korçës.
Në këtë festival me çmime u nderuan edhe Vjosa Abazi nga teatri “Adriana” për rolin episodik, Avni Shkodra nga Teatri i Gjilanit për rolin dytësor, Sanka Ferri dhe Mentor Berisha nga Tetari i Prizrenit për kostumografinë dhe skenografinë më të mirë.