Rruga “Madeleine Albright”, e cila lidh qendrën e qytetit me rrugën ”12 Qershori” dhe ”Epopeja e Jezercit”, do të qëndroj e mbyllur gjatë dy muajve për shkak të punimeve të cilat po realizohen në kuadër të projektit ”Bashkimi i Qytetit”. Drejtori i Urbanizmit në Ferizaj Lulzim Aliu, tha se vështirësi në kryerjen e punimeve po u paraqet infrastruktura nëntokësore në atë pjesë të qytetit.
“Problemi më i madh është që në këtë pjesë përafërsisht dy metërshe janë të gjitha instalimet e mundshme të cilat janë të padefinuara mirë, nuk e dinë as ujësjellësi saktë ku i ka gypat, mandej janë furnizimet private që janë bërë kudo, nuk ka saktësi të KEDS-it ku janë kabllot dhe kjo sjellë vështirësi më të madhe, sepse puna shkon ngadalë derisa të definohen saktë, mandej shihet që është gypi kryesor i furnizimit të ujit dhe ky duhet me u zhvendos për me u zhvillu punimet dhe këto e vështirësojnë dinamikën e punimeve, përndryshe për dy ditë është kry shumë punë, nuk është çështja e vështirësive për me kry punën sa është problematika e infrastrukturës nëntokësore, tuneli këtu ka me u gropu 7-8 metra dhe ka me u heq krejt ky dhe që nuk kthehet më këtu dhe më pas kanë me fillu me betonime edhe pjesa e poshtme dhe anësore, kanë me u marrë masat anash për me vendos pilota mos me u rrëzu dheu, kur të vendosen pilotat kanë me u vendos mbrojtjet statike të forta që me qenë siguria për punëtorë dhe unë kujtoj që është çdo gjë në rregull”, tha Aliu.
Sa i përket dëmtimeve që bëhen gjatë punimeve, drejtori Aliu tha se ato iu faturohen kompanivë punëkryese.
“Asnjë ndërmarrje publike nuk ka shënime të sakta se ku i kanë gypat e kabllot dhe normalisht që këtu ka edhe dëmtime nga punimet, por sigurisht gjatë realizimit të punimeve kompania i meremeton, nuk i kemi llogaritur kush i bën por sigurisht që këto dëmtime janë të parapara me sa e di unë në projekt kur është bërë tenderimi, i bartë kompania që është duke i bërë punimet ose duhet me pas kujdes të shtuar dinamika më e vogël, ose më pak kujdes e me i bë riparimet vet, por unë kujtoj se dy kompanitë kanë treguar një seriozitet të jashtëzakonshëm, por defektet në ndërtimtari janë normale”, tha Aliu.
Projekti ”Bashkimi i Qytetit” parasheh ndërtimin e nënkalimit për automjete që do të lidh rrugët “Vëllezërit Gërvalla” me “Latif Hasani”, deri te rrethrrotullimi afër Shtëpisë së Pensionistëve. Ky projekt i cili ka një kosto prej 4 milionë eurosh është planifikuar të zgjas 2 vite.