Në mënyra të ndryshme, muaji për sensibilizimin e sëmundjes së kancerit të gjirit, në Ferizaj u shënua pothuajse çdo ditë.
Nga disa gatime që u shitën sot në sheshin e qytetit, u grumbulluan një sasi e mjeteve financiare të cilat do të dedikohen për ferizajasen B.Xh e cila vuan nga kanceri në shpinë. Ky aktivitet u organizua nga qendra e gjuhëve të huaja “Sidi” në Ferizaj, si dhe nga nxënës të gjimnazit “Kuvendi i Arbrit” të udhëhequr nga mësimdhënësja Hysnije Mustafa, si dhe ambasadorja e Rinisë në Kosovë Vanesa Sadriu.
“Ne si popull njihemi faktikisht si një popull shumë solidarë dhe me këtë rast i falënderoj nënat të cilat kanë shpreh përkrahjen dhe vullnetin për të gatuar sot që ushqimet e tyre të jenë pjesë e ndihmesës për shumë gra të tjera të cilat vuajnë nga sëmundja e kancerit. Unë po shpresoj shumë që kjo “Tryezë e Bamirësisë” do të grumbulloj një shumë të konsideruar të mjeteve që sado pak të kontribuoj për këtë qëllim human”, tha Fatbardha Asllani.
Organizatorët e kësaj tryeze bamirësie treguan se tradicionalisht aktivitetet e tilla humanitare janë përkrahur nga qytetarët, ku kontributi i tyre në këtë arkë nuk ka munguar asnjëherë.
“Ka diku 7 ose 8 vite që në kuadër të këtij lloj aktiviteti human kemi mbledhur rroba, apo kemi shitur ushiqme si sot apo edhe gjëra të tjera dhe mund te them se gjithmonë kemi hasur në mirëkuptim dhe në shumë dashni prej qytetarëve tanë, kështu që komuna e Ferizajt dëshmohet për vlera humane gjithmonë”, tha Hysnije Mustafa .
“Edhe unë mund të them lirisht që qytetarët e kësaj komune po janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar nëpër këto aksione që ne po zhvillojmë për t’i ndihmuar të tjerët, prandaj kujtoj se aktivitetet e tilla nuk duhet të ndalen por të shtohet numri i tyre gjithandej“, tha Vanesa Sadriu.
E, ata që sot blenin ushqimet në këtë tryezë, e vlerësuan lartë qëllimin e këtij aksioni, duke shpresuar se paratë e mbledhura të jenë ndihmesë sado e vogël e nevojtarëve.
“Tryeza e Bamirësisë” e cila u tha se organizohet për të shtatin vit me radhë, secilën herë i dedikohet një qëllimi human.