Propozim-vendimi për miratimin e draft-marrëveshjes së bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit mes komunës dhe ”Caritas Kosovës” për të rikthyer projektin “Ngritja e përkujdesit social-shëndetësor, shtëpiak dhe ambulantor në komunën e Ferizajt”, ishte pika e cila ngjalli debat në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa.
“Gëzohemi që keni gjetur fuqinë për me bë këtë marrëveshje me ”Caritas Kosovën”, por na brengos fakti që vihet në pah mungesa e guximit të kryetarit të komunës për me nënshkru një marrëveshje të tillë dhe me pa të drejtë për me ua bartë anëtarëve të Kuvendit Komunal”, tha Burim Karameta nga LDK.
“Nuk mund të pajtohem në asnjë mënyrë me Karametën sa i përket guximit të kryetarit për të nënshkruar një dokumnet, kryetari jonë njihet që nuk ka guxim, por nuk ka guxim të nënshkruaj marrëveshje që janë të dëmshme dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe sa i përket nënshkrimit të kësaj marrëveshje edhe në të kaluarën është bërë nga asambleja komunale për arsye të aspektit procedural”, tha Naim Ferati, nënkryetar i komunës.
“Kisha pyetur drejtorin e Shëndetësisë a keni me i marrë prapë punëtorët që i keni larguar”, tha Yllka Neziri nga LDK.
“Ata që i keni marrë ju dhe që nuk kanë përgatitje nuk do të pranohen asnjë”, tha drejtori i Shëndetësisë, Besnik Berisha.
Diskutimet nuk përfunduan me kaq. Debati vazhdoi ashpër mes ish-drejtorit të Shëndetësisë Burim Karameta dhe atij aktual Besnik Berisha.
“Nuk pres prej drejtorit aktual me i ditë këto gjëra se nuk i dinë e nuk ka me i mësu asnjëherë, shyqyr që s’ka me i shku mandati i tij deri në fund, ajo që më brengos është se ka mjekë të papunë në komunën e Ferizajt dhe unë nuk e di nëpër faqe publike që është një konkurs i hapur për mjekë, por juve që ju shkoj jeta t’u vajtu për borxhe mundem me ju tregu që katër vite mandat në marrëveshjen me ”Caritas Kosovën” ne kemi lënë diku 167 mijë euro borxh, ndërsa gjatë vitit 2018 pa i pasur 200 punëtorë janë diku 350 mijë euro borxhe që ka kriju kjo qeveri”, tha Karameta.
“Karameta nuk ka qëndru në vend të punës e unë rri, nuk ka asnjë mjek pa punë, është konkursi çdo herë i hapur për mjekë dhe ti kur ke qenë drejtor s’ke ditë sen dhe të ka mbet marak me qenë drejtor edhe një mandat dhe është dëshirë e jotja mos me qenë unë drejtor, por kjo varet prej atij lartë dhe kryetarit Agim Aliu”, tha Besnik Berisha.
Debati vazhdoi tutje me propozim-vendimin për formimin e komisionit për emërtimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike në komunën e Ferizajt, si vazhdimësi e komisionit të kaluar.
“Ne kemi pasur një komision që ka punuar dy vite, ka qenë komision i formuar nga të gjitha partitë politike dhe ai komision ka pas përfundu punën e vet, ka dalë me një raport të punës dhe mendojmë se ai raport duhet të dalë në Kuvend dhe të miratohet dhe më pas nëse kemi nevojë për komision të përkohshëm që ka ndonjë kërkesë jemi për, por tani ne jemi që ai komsion që është paguar dy vite të dalë në Kuvend”, tha Imri Hashani nga LDK.
“Unë mendoj se para se të merret ky vendim duhet të marrim një vendim për anulimin e vendimit paraprak, atë të komisonit që tha Imria dhe puna e atij komsioni jo që duhet të miratohet e të vlerësohet, por ata duhet me shku në burg qind për qind, vendimi i Kuvendit ka qenë për emërtimin e rrugëve dhe shesheve që kanë qenë të paemërtuara, ndërsa ata kanë bërë ndryshime në emërtime dhe e kanë ngatërruar aq keq sa që ka pasur konflikte mes qytetarëve”, tha Xhavit Zariqi nga AAK.
Në këtë mbledhje u propozua që Komitetit për Politikë dhe Financa t’i shtohet edhe një anëtar nga Lëvizja Vetëvendosje, emri i së cilit do të bëhet i ditur në mbledhjen Kuvendit Komunal. Asamblistëve iu procedua edhe raporti financiar për periudhën janar-shtator 2018, për të cilin në Komitet pati lëvdata edhe nga opozita.
Ndalohet përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me Tv Tema.