Vetëm në 9 mujorin e këtij viti, në rajonin e Ferizajt janë shënuar rreth 140 raste të dhunës në familje. Këto statistika u bën të ditura sot nga Policia e Kosovës, në hapje të fushatës për parandalimin e kësaj dukurie. Udhëheqësi i i hetimeve në Policinë rajonale të Ferizajt, Refki Morina, tha se rritja e numrit të rasteve po shkon paralelisht me ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për t’i raportuar rastet e tilla.
“Derisa më parë ka pasur hezitim për t’i lajmëruar rastet e dhunës në familje tani është ngritur vetëdija e qytetarëve ku raportimet janë shumë më të shpeshta, si duket më kjo dhunë nuk po tolerohet, prandaj në me këtë kuptojmë që besimi për t’i paraqitur rastet në polici po ashtu është në rritje, por edhe sensibilizimi medial po kryen efektin e vet”, tha Morina.
Ndërkaq, përfaqësues të qeverisë lokale të Ferizajt në hapje fushatës “Respekto familjen për t’u respektuar”, konsideruan se mobilizimi i të gjitha institucioneve është mjaftë i nevojshëm.
“Duke qenë të shqetësuar me këtë çështje ne si pushtet vazhdimisht po angazhohemi së bashku edhe me akterë të tjerë që të bëjmë aktivitete së pari për të ngritur vetëdijen qytetare që dhuna në familje nuk është zgjidhje. Është me rëndësi që secili nga ne të shfrytëzoj të gjithë potenacialin që ka për të lobuar çdo kund që është prezent me aktivitetin e tij për të këqijat që sjellë kjo dukuri negative”, tha nënkryetari i Ferizajt Naim Ferati.
“Ne duhet të forcojmë sistemin tonë dhe të sigurohemi që bartësve të dhunës t’iu jepet dënimi adekuat, sepse Kosova, e në veçanti komuna jonë, nuk toleron akte të tilla. Shoqëria jonë ka nevojë të adresoj dukuritë që e kërcënojnë mbarëvajtjen e saj dhe mirëqenien e qytetarit. Përpjekjet tona duhet të përqëndrohen në veçanti në krijimin e një ambienti në të cilin fëmijët tanë rriten me kujdes, në dashuri dhe qasje në shkollim”, tha kryesuesja e Kuvendit Komunal Kristina Gashi-Bytyqi.
Fushata që ka për qëllim parandalimin e dhunës në familje, u tha se do të zgjasë disa ditë dhe do të ketë shtrirje nëpër shkolla e institucione tjera publike, ku do të jepen këshillat e nevojshme se si duhet raportuar dhuna dhe çfarë masa duhet të merren ndaj rasteve që kanë të bëjnë me këtë dukuri të shëmtuar.