Në 20 vjetorin e rënies Ferizaj ka përkujtuar dëshmorët Naim Beka dhe Agim Matoshi. Në nderim të jetës dhe veprës së tyre, udhëheqës të institucioneve komunale, të shoqatave të dala nga lufta, familjarë dhe bashkëluftëtarë bën homazhe tek varrezat e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, në vendin ku edhe prehen këta dy dëshmorë.
Nëna e dëshmorit Agim Matoshi, Hanife Matoshi, tha se ndihet krenare për djalin që sakrifikoi jetën për atdhe, edhe pse malli për të veç sa vjen e shtohet.
“Kemi mërzi, por çka të bëjmë, por edhe jam krenare, më kujtohet gjithmonë që kur u niske me dalë nuk më tregojke, gjithmonë më thoshte mirë jam”, tha Hanife Matoshi, nëna e dëshmroit të kombit, Agim Matoshi.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçi tha se këta dy dëshmorë ishin ushtarë dhe trima të pashembullt të historisë më të re të kombit shqiptar.
“Sot kemi përvjetorin e rënies së dy dëshmorëve të kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy ushtarëve shembullor, dy trimave shembullor, dy djelmoshave të cilët u sakrifikuan për atdheun, se atdheu ishte mbi çdo gjë. Këta ranë për liri që ne ta begatojmë atë liri që të synojmë zbatimin e kërkesës së betimit të dëshmorëve të kombit, bashkimin e kombit shqiptar, bashkimin e Kosovës me trojet etnike dhe bashkimin e shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë. Ky ishte ideal i të gjithë dëshmorëve dhe kush e injoron dhe e përbuzë këtë e ka shumë gabim dhe ky gabim nuk i falet kurrë. Ne krenohemi me këta dy trima të pashembullt të historisë më të re të kombit tonë”, tha kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi.
Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, tha se Naim Beka dhe Agim Matoshi ishin ndër ushtarët e parë të UÇK-së dhe themeluesit e Batalionit të Logjistikës, të shquar për trimërinë dhe zgjuarsinë e tyre.
“Ky është një moment i përkujtimit, një ditë e homazheve për dy ushtarë të ditëve të para të cilët na janë bashkëngjitur në luftë në ditët e para me formimin e Zonës Operative të Nerodimes. Këta dy ushtarë dallojnë nga ushtarët tjerë pasi që kanë qenë ushtarë të aksioneve, ushtarë që e kanë njohur shumë mirë këtë terren dhe janë ushtarë që edhe e kanë formuar Batalionin e Logjistikës. Pra, këta janë ata ushtarë të cilët kanë përcjellë edhe popullatë civile, edhe ushtarë, edhe ushtarakë në zonën tonë prej zonës së Drenicës deri në zonën e Maqedonisë. Vlen të theksohet se gjatë përcjelljes së tyre nuk ka pasur asnjë pritë, asnjë ekses, pra kanë qenë përpos dy ushtarë trima edhe dy ushtarë shumë të zgjuar”, tha Sejdiu.
Më 25 tetor të vitit 1999, bashkë me Bekën e Matoshin ra heroikisht edhe Avni Shehu nga komuna e Kaçanikut, trupi i të cilit pushon në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.