Në kuadër të organizimeve të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, u mbajt debati me temë “Teatri dhe shoqëria”. Udhëheqësja e këtij debati Dije Demiri-Frangu, e konsideroi shqetësuese mungesën e dramave origjinale nëpër teatrot kosovare. Ajo tha se kjo po ndodhë për shkak të gjendjes së rëndë financiare në të cilën gjenden teatrot në Kosovë.
“Sot u ndalëm brenda konceptit të Bretit, Stanislavskit dhe të Gotofskit, apo teatrit kolektiv, individual dhe teatri i varfër dhe sa janë prezente këto tipe teatresh tek ne, natyrisht neve po na preokupon shumë edhe çështja e regjisorëve dhe konceptit të tyre regjisorial, i cili po del në bazë të diskutimeve se ata në një mënyrë duhet të merren më shumë me dramën origjinale dhe po ashtu po del se drama origjinale mungon, sidomos drama aktuale origjinale”, tha Demiri-Frangu.
Dije Demiri-Frangu, e vlerësoi lartë Festivalin e sivjetmë të Teatrove, i cili sipas saj, ka avancuar mjaftë shumë.
“Ky festival është për t’u veçuar në kuptim të repertorit të tij, sepse kësaj radhe ai përmban katër drama origjinale që gjithsesi receptuesit do të jenë më të lidhur me to, ka shikueshmëri të mirë, është një rregull më i mirë se i herave të tjera dhe mendoj se është një avancim edhe në kuptimin e organizimit dhe menaxhimit të këtyre ditëve, shfaqjet janë bukur të realizueshme dhe përgjithësisht dramat e huaja vijnë me trupa teatrore që në një mënyrë janë verifikuar si vlera dhe në bazë të reagimeve të shikuesve dhe vet tribunave që po mbahen pas shfaqjeve, është një lëvizje kulturore që unë mendoj shumë e nevojshme për emancipimin intelektual të qytetarëve tanë”, tha Demiri-Frangu.
Në teatrin e qytetit një debat i tillë do të mbahet edhe nesër.