Në dhjetor të këtij viti komuna e Ferizajt do të shpall aplikimin për subvencionimin e bizneseve të vogla dhe të mesme të kësaj komune. Ky projekt me emrin “Fondi i Punësimit”, i cili është njëri ndër premtimet e platformës qeverisëse të kryetarit Agim Aliu, sipas drejtorit të Zhvillimit Ekonomik në Ferizaj Zekir Bytyqit, parasheh që të jap grante për rreth 50 biznese të këtushme. Bytyqi, njoftoi për procedurat dhe kategoritë e bizneseve që parashihen të subvencionohen me këtë projekt.
“Hiç më larg se sot në mbledhjen e bordit vendosëm që në fund të vitit të shpallim aplikimin për thirrje për grante për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat synojmë që zgjerimi i i forcimit të kapacitetit të tyre dhe nxitja e punësimit ku siguron qëndrueshmëri të jenë aktive në mënyrë që bizneset e tyre të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të komunës së Ferizajt. Në planet tona kemi paraparë që bizneset duhet të jenë të regjistruara, të jenë aktive, si dhe të punësojnë nga një punëtor më shumë e të cilin duhet ta regjistrojnë në ATK. Parashihet që shuma e subvencionimit për një përfitues të grantit të jetë prej 2 mijë deri në 5 mijë euro, ndërsa kategoria e bizneseve që ka prioritet në këto fonde është ajo që eksporton, janë bizneset prodhuese dhe riprodhuese, por pse jo edhe ato biznese me ide inovative”, tha Zekir Bytyqi.
Përveç këtij lloji të subvencionimit, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik për vitin që vjen ka planifikuar edhe një shumë buxhetore për të ndihmuar bizneset artizanale.
“Ai është një tjetër projekt që kemi me i subvencionu bizneset artizanale që tashmë janë të harruara dhe kemi dashur që sado pak t’iu ndihmojmë, pasi që koha dhe konkurrenca sikur i ka shuajtur, prandaj ne përmes granteve që do t’i japim për ta në një mënyrë do t’i motivojmë dhe stimulojmë ata të vazhdojnë të janë aktiv me punën e tyre në këtë komunë”, tha drejtori Bytyqi.
Në buxhetin e vitit 2019 për subvencionimin e bizneseve të vogla dhe mesme, janë paraparë rreth 150 mijë euro, ndërkaq për bizneset artizanale 10 mijë euro.