Në rrugën ”Ramadan Rexhepi” në Ferizaj, është hapur poliklinika private “Ferexim”, në të cilën do të ofrohen disa shërbime mjekësore dhe farmaceutike.
Pronari i kësaj poliklinike, Sahadi Maloku, tregoi shërbimet që do t’i ofroj kjo poliklinikë për qytetarët ferizajas.
“Kjo është poliklinika “Ferexim” dhe hapet së bashku me barnatoren “Ferexim”. Në poliklinikë do të punoj neuropsikiatri i fëmijëve që është rast i parë nëse nuk gabohem në Ferizaj, pastaj alergologu, mjeku familjarë dhe pediatri, pastaj do të punojnë edhe motrat ku do të mund të merren infuzionet, injeksionet, kontrollat, analizat laboratorike, po ashtu edhe shërbimet e barnatores”, tha Maloku.
Maloku, tha se synon që tek pacientët të sjellë siguri në marrjen e shërbimeve shëndetësore.
“Pacientët do të jenë të sigurtë se ne do t’u shërbejmë ndershmërisht me sigurinë më të madhe të barnave dhe me sinqeritet”, tha Maloku.
Në poliklinikën “Ferexim”, e cila u hap sot, janë punësuar 10 persona.