Moti i mirë ka bërë që rrugët shkatërruara të qytetit të asfaltohen me intensitet më të lartë para të reshurave. Sot në zonën urbane të Ferizajt nisi asfaltimi i rrugës së Reçakut, njëra nga më të frekuentuarat. Ky investim që po realizohet me buxhet të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, u vlerësua si një projekt tejet i rëndësishëm për komunën e Ferizajt. Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se këtu nuk po bëhet vetëm asfaltimi, por edhe e gjithë infrastruktura tjetër përcjellëse.
“Është një ristrukturim i tërësishëm i kësaj rruge që përfshin një pjesë kanalizim fekal dhe atmosferik dhe pjesa tjetër është ajo që përfshin ristrukturim të rrugës që do të shtrohet me dy shtresa asfalti dhe po ashtu edhe trotuari dhe shtegu për biçiklistë. Pra, kemi tërhequr vëmendjen në këtë pjesë sepse e llogarisim një pjesë tepër të rëndësishme të qytetit për faktin që është një zonë e qetë ku qytetarët do të kenë siguri, por edhe shteg të biçiklistëve”, tha Aliu.
Infrastruktura e rrugës së Reçakut e gjatë rreth 1 kilometërshe po kushton rreth 150 mijë euro.
Gjatë ditës së sotme u asfaltua edhe një tjetër rrugë më e shkurtër në qytetin e Ferizajt. Është kjo rruga “Rexhep Mala” e cila u tha se do të krijoj një lidhje të re me rrugën “Astrit Bytyqi”.
E, para se komuna të marrë vendim për asfaltimin e kësaj rruge, kërkesa drejtuar kryetarit të komunës ishte më ndryshe se herave të tjera. Këtu rolin kryesor për këtë investim u tha se e luajtën gratë e lagjes, të cilat ditë më parë kishin shkuar në komunë për të kërkuar me këmbëngulje këtë projekt që u mungonte prej kohësh.
“Po e çoj një meshavinë qatje ku janë tubue, sepse jemi gëzu shumë që rrugën naj kanë shtru. Jena gëzu shumë se këtu u bajke lloç e nanat kanë vujtë shumë për fëmijët e tyre”, tha plaka Hysnije Riza.
Përveç kësaj, gratë e rruges “Rexhep Mala” ishin kujdesur që të parin e komunës ta presin edhe me bakllava.