Vjeshta është stina kur bëhet vjelja e shumicës së pemëve, perimeve e të mbjellave të tjera. Për t’i ekspozuar dhe shitur ato, tregu i gjelbër është vendi më i përshtatshëm për tregtarë. I mbushur me prodhime kryesisht vendore, sot ishte edhe tregu i Ferizajt. Megjithatë, shitësit u shprehën të pakënaqur me rendimentet e sivjetme për shkak të reshjeve të shumta të shiut dhe për shkak të konkurrencës nga importi.
“Janë prodhime vendore, janë bio, ka molla, qepë, qylaha, molla sivjet ka shumë, por kualiteti është më i dobët për shkak të lagështisë së madhe që ka pasur dhe ajo ka ndikuar tek fruti, janë shumë të dëmtuara. Institucionet nuk janë duke bërë asgjë për bujqësinë, nuk kemi as mbrojtës nga breshëri, as nuk të financion, në bujqësi më shtrenjtë është plehu se mielli, ndërsa për mollat populli nuk mundet me i konsumu sa shumë prodhime kemi sivjet, me pas fabrika do të ishte më ndryshe se i kishim dërgu atje”, tha Mërzen Jahiri.
“Kultivoj brokull, karrota, majdanoz, marulla, spinaq, e perime të tjera. Janë të gjitha prodhime vendore, është vështirë me i kultivu pasi pagesa është e vogël, majde sivjet ka qenë dobët me rendimente për shkak të shiut dhe na mungon përkrahja e Qeverisë, por ne duhet të mbijetojmë”, tha një tjetër prodhues.
“Kemi patate, qylah, kunguj, qepë. Mirë është duke shku puna, i kemi diku 100 hektarë dhe mirë ia vlenë, që 25 vite merrem me këtë veprimtari, çdo ditë jemi në treg dhe jemi të kënaqur”, tha Herolind Krasniqi.
“Punojmë me lule, e kemi një lulishte, mirë shkon, edhe pse jo shumë të kënaqur me çmimin por çka të bëjmë, nuk ia vlenë edhe shumë, por mos me dalë rrugëve”, tha Isak Ila.
“Ne merremi me pemëtari, me gjëra dekorative si pisha, lule, punojmë sa për një idare megjithëse pak ka shitje, por ne mundohemi në mënyrën tonë, çmimet gjithmonë i vendosim në bazë të popullit, më mirë me punu pak se me nejtë”, tha një tjetër kultivues.
Kurse, blerësit vlerësojnë se çmimet janë të arsyeshme duke pasur parasysh kualitetin e prodhimeve vendore.
“Çmimet në treg ndonjëherë janë më të ulëta e ndonjëherë më shtrenjtë, turshitë i kemi kry, në fillim kanë qenë lirë e tani pak janë shtrenjtë, por me rëndësi që diku janë kualitet, mirë është”, tha një blerës.
“Po shihet se molla është kualitet, kultivuesi i ka ruajtur mirë, unë jetoj në Zvicër por vijë kur është koha e pemëve e perimeve dhe i marrë”, tha një tjetër blerës.
Megjithë prodhimet e shumta në vend, të cilat mund t’i mbulojnë nevojat e popullatës, importi vazhdon të mbetet problem shumë i madh për prodhuesit vendor. Importuesi më i madh në Kosovë mbetet Serbia, ku sipas të dhënave zyrtare janë mesatarisht rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga ky shtet.