Shumica prej tyre janë mësimdhënës të gjimnazeve të Ferizajt. Janë mbledhur sot këtu dhe po e festojnë nisjen e një objekti shkollor në të cilin do të bartet gjimnazi gjuhësor dhe shoqëror “Dr. Shaban Hashani”. E, kur në vendngjarje erdhi kryetari i komunës me ekipin e tij, profesorët nuk i ikën traditës shqiptare për t’u rreshtuar e për ta përshëndetur atë, gjithsecili për dore. Dikur radha i erdhi edhe simbolikës së famshme “lopatës me beton”. Këtu kryetari u tregua modest, duke i dhënë përparësi profesorit të historisë Kemajl Vladi, i cili së shpejti do të dalë në pension dhe drejtoreshës së shkollës së mjekësisë. Ndërtimi i kësaj shkolle të re, nisi pikërisht në hapësirën ku tashmë po bëhet një kompleks i objekteve arsimore, ku aktualisht ndodhet gjimnazi shkencor “Kuvendi i Arbrit”. Ky investim u vlerësua mjaftë i nevojshëm nga kreu i komunës, i cili tha se prioritet i kësaj qeverie është përmirësimi i kushteve dhe cilësisë së arsimit në këtë komunë.
“Kjo godinë që përbëhet nga 29 klasë dhe disa kabinete përfundimisht do t’i mundësoj qeverisjes lokale të zbatoj me efikasitet më të lartë reformën e ndërmarrë në arsim, si dhe të mundësoj riplanifikimin e shfrytëzimit të hapësirave shkollore, me theks të veçantë të shkollës “Gjon Serreçi”, e cila aktualisht nuk përmbush kushtet e nevojshme për zhvillimin e mësimit. Kjo shkollë e mesme do të thotë që do të krijohen dhe do të mundësohen kushte edhe më të mira të punës, në mënyrë që të avancohet puna profesionale e profesorëve, mësimdhënësve, por në të njëjtën kohë edhe që nxënësit të kenë kushtet më të mira që të marrin atë që japin mësimdhënësit tanë, profesorët tanë. Sigurisht se është edhe një mundësi që ne të bëjmë një riplanifikim dhe pikërisht ne kemi zgjedhur këtë lokacion edhe javën e kaluar kur vendosëm gurthemelin e shkollës profesionale edhe sot kur po vendosim gurthemelin e kësaj shkolle, që të kemi një ambient të mirë dhe të kemi një lloj kompleksi të arsimit, respektivisht të shkollave në kuadër të një kompleksi të përgjithshëm që ne kemi bërë në kuadër të planifikimeve urbane për këtë zonë”, tha Agim Aliu.
U bë e ditur se ndërtimi i objektit të gjimnazit “Dr. Shaban Hashani”, projekt ky tre vjeçar, do të kushtoj rreth 1.8 milionë euro.