Në fshatin Papaz të Ferizajt, nisën punimet për ndërtimin e kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza, i cili do të përfshij disa fshatra të asaj ane.
Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, e vlerësoi të rëndësishëm këtë investim, duke theksuar se do të ketë efekt pozitiv në mjedis, sidomos për zhvillimin e veprimtarive bujqësore.
“Shpesh këto kanale apo derdhje të ujërave të zeza vend e pa vend, kanë shkaktuar telashe të mëdha ambientale, madje edhe ka qenë e pamundur të kalohet në disa vende dhe kjo ka rëndësi të shumëfishtë. Ferizaj ka përmbyllur dhe po përmbyll, përveç disa rasteve që janë tepër minore, investimet kapitale të natyrës nëntokësore, në mënyrë të veçantë të kanalizimeve dhe sigurisht se hap një kaptinë të re dhe këtu jemi në një projekt që hap këtë kaptinë, kaptinën e përmbylljes së trajtimit të ujërave të zeza. Jemi pra këtu në kuadër të projektit të ndërtimit të kolektorit verior që kap shumë prej 1 milionë e 300 mijë euro dhe që ka një gjatësi prej afërsisht 13 kilometra dhe përfshin një grup të madh fshatrash, kushtimisht t’i quajmë të regjionit të Rahovicës apo të rrugës që shpie deri në Rahovicë, pastaj në Mirash dhe pjesës andej nga Prelezi, por sigurisht se fillon nga Fabrika e Tubave nga aty edhe do të përfundoj te lumi Sitnica, ku pastaj në bazë të angazhimeve tona dhe në bazë të asaj që kemi zhvilluar si komunikim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do të hapim kaptinën përmbyllëse të trajtimit të ujërave të zeza me ndërtimin e impianteve të ujërave të zeza”, tha Aliu.
Kolektori i nisur sot në Papaz, u theksua se nuk do ta ketë fatin e njëjtë si ai i fshatit Varosh, i cili ka vite që ka nisur, por ende nuk ka përfunduar në tërësi, ngase sipas komunarëve, zvarritja e punimeve i takon së kaluarës.
”Ju e keni parë edhe zotimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, i cili e ka thënë në Ferizaj se do të ndahet shuma prej afërsisht 50 milionë euro për finalizimin e projekteve të impianteve. Po ashtu, në kuadër të buxhetit për vitin 2019, kemi futur edhe një pjesë të kolektorit verior që ka të bëj me fshatin Kosinë, që ka qenë e pakuptueshme sesi ka mbetur ajo pjesë gjatë gjithë këtyre viteve, por duke parë këtë situatë dhe nga dëgjimet publike që ne kemi bërë në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2019-2021, ne kemi futur atë dhe sigurisht se me ndërtimin e impiantit do të përfundoj kjo kaptinë, mua më vjen keq prej publikut që dua të them diçka se ato që kanë filluar në vitin 2013 duhet të përfundojnë në vitin 2018, janë të pakuptueshme vonesat që janë bërë siç është në rrugën “Driton Islami” që kanë filluar në vitin 2013, rruga ”Astrit Bytyqi’ e filluar në 2013, rruga “Brahim Ademi” po ashtu e nisur në 2013, pra ka shumë projekte që kanë filluar dhe janë stërgjatur dhe ajo që ne e kemi thënë si zotim se nuk do të lejojmë këtë dhe planifikimet do të jenë të sakta”, tha Aliu.
Ndërtimi i kolektorit në fshatin Papaz është paraparë të përfundoj brenda tri viteve.