16 dyer të reja janë vendosur në gjimnazin “Dr.Shaban Hashani” në Ferizaj, si donacion nga operatori i telefonisë mobile në vend IPKO.
Arianit Duraku, drejtor i shitjes në kompaninë IPKO, tha se ky donacion ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit që kjo kompani ka me komunën e Ferizajt.
“Për hir të relacionit të mirë që kemi me komunën e Ferizajt edhe në të kaluarën kemi pasur projekte të tilla, kemi ndërtuar shkolla, normalisht në kuadër të mundësive që kemi si kompani, investimi i fundit ka qenë në fund të vitit të kaluar ku kemi blerë disa pajisje për QKMF-në e Ferizajt. Edhe kjo kërkesë ka ardhur nga drejtori i Arsimit dhe për hir të partneritetit jemi munduar t’i ndihmojmë, ne jemi prezent në tregun e Ferizajt edhe në komunë jemi të shpërndarë shumë mirë edhe në shërbimet fikse dhe mobile dhe për hir të këtyre zhvillimeve i kemi pru edhe këto investime”, tha Duraku.
Ndërsa, drejtori i Arsimit Afrim Llabjani, tha se këto donacione ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, derisa bëri të ditur se të premtën do të filloj ndërtimi i një shkolle, por nuk tregoi se për çfarë shkolle bëhet fjalë.
“Ne jemi falënderues dhe mirënjohës ndaj IPKO, duke e besuar se ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin e tillë, sepse mundësitë e tilla do të na krijojnë hapësirë të mirë për të pasur një proces sa më të rregullt, fatmirësisht komuna e Ferizajt ka bërë hapa për të përmirësuar infrastrukturën shkollore, por shtimi i numrit të popullsisë dhe numrit të nxënësve që është në vazhdimësi, po krijojnë probleme të vazhdueshme dhe ne si rezultat i kësaj kemi filluar ndërtimin e një shkolle profesionale, do të fillojmë të premtën edhe me një tjetër dhe ndërtimi i këtyre shkollave do të na krijoj hapësirë më të mirë për mbajtjen e mësimit”, tha Llabjani.
Kurse, drejtori i gjimnazit “Dr. Shaban Hashani”, Naser Osmani, tha se ky donacion ka qenë shumë i nevojshëm, duke shprehur shqetësim për mungesën e hapësirës në këtë shkollë.
“Pas një kërkese që kemi pasur në Drejtorinë e Arsimit, pasi kishim disa dyer të klasave të dëmtuara, drejtori na tregoi se është një donacion dhe ramë dakord që të vjen në shkollën tonë, natyrisht që kontribuon në procesin mësimor se pamja e dyerve të dëmtuara ka ndikim tek nxënësit, ndërsa siç dihet nevojë imediate për gjimnazin “Dr.Shaban Hashani” është hapësira shkollore, mungesa e hapësirave na krijon vështirësi në punën tonë, duke filluar nga salla e profesorëve, ku salla është me 8 karrige, ndërsa në një ndërrim janë 22 profesorë, po ashtu edhe këtë vit janë shtuar dy paralele të reja, për njërën paralele kemi pasur hapësirë, ndërsa për tjetrën paralele e shfrytëzojmë hapësirën e shkollës së mjekësisë”, tha Osmani.
Vlera e 16 dyerve të vendosura në gjimnaz, kap shumën e rreth 2500 eurove.