Ismail Selmani, i njohur si komandant Mala, ka ndërmarrë një iniciativë për pastrimin e përmendoreve të dëshmorëve që ekzistojnë në komunën e Ferizajt. Këtë aksion, Selmani thotë se e mori për faktin se ato janë mbuluar nga pluhuri duke mos u kujdesur askush për to.
“Kjo inciativë është marrë nga shpirti im, pasi çdo ditë që dilja shkoja përreth dëshmorëve, por ata nuk ishin fizikisht të gjallë pranë nesh, prandaj ne të gjallit e kemi për obligim që sado pak të ndjejmë ndjenjën tonë shpirtërore për dëshmorërt e kombit, si luftëtarë unë do t’i them edhe klasës politike që të kenë vëmendjen për gjithë këtë gjak të derdhur për çlirimin e Kosovës, i thërras të gjithë edhe shokët luftëtarë, por në veçanti edhe familjet e dëshmorëve që edhe ata të vetëdijësohen dhe të kërkojnë shumë më tepër nga komuna e Ferizajt, pasi komuna i ka institucionet e veçanta për mirëmbatjen e këtyre busteve që janë të vendosur që t’i mirëmbajnë ato”, tha Selmani.
Selmani kërkoi që të mos ndërtohen përmendore në Ferizaj, në mënyrë që të mos bëhen shpenzime për ndërtimin e tyre, kur ato nuk mirëmbahen.
”Dhjetë përmendore të dëshmorëve janë në Ferizaj, 70 mijë euro janë dhënë për këta dëshmorë, prandaj me këtë shumë do të rehabilitoheshin shumë familje skamnore, pra unë i thërras që mos të harxhohen më duke ndërtuar lapidarë, pasi edhe kështu nuk i ka mbikqyrur askush”, tha Selmani.
Aksionit të komandant Malës, i’u bashkuan edhe qytetarë të tjerë.
“Inicativën e komandant Malës e kam parë në rrjetet sociale dhe kam vendos t’i bashkëngjitem, pasi e kam ndje obligim që të bëj diçka për t’i respektuar veprat e dëshmorëve”, tha Behar Ibishi.
“Jemi në përfundim të pastrimit të përmendoreve të heronjve me iniciativën dhe vullnetin e komandant Malës, unë e kisha lutur udhëheqësinë mos të merren me hajni, por të merren me pastrimin e hapësirave ku gjenden këta heronj”, tha Shukri Retkoceri.
Ata që u ndjenë të nderuar nga ky aksion i ndërmarrë, janë familjarët e dëshmorëve. Babai i dëshmorit Brahim Ademi, Tefik Ademi, përmendorja e të cilit po pastrohej sot, tha se i vjen mirë që të paktën dikush u kujta për ta.
“Është shumë një punë e mirë, një vullnet i mirë që i ka ra ndërmend dikujt, faleminderit Malës dhe shoqërisë së tij që janë duke pastruar, ai që merr një inciativë të tillë e nderon vetën pastaj neve”, tha Tefik Ademi.
Në komunën e Ferizajt, përgjegjëse për mirëmbajtjen e përmendoreve është kompania publike “Ambienti”.