Këto pamje nuk janë nga Bangladeshi, por janë regjistruar midis qytetit të Ferizajt, përkatësisht në rrugën ”Madeleine Albright”. Ndërtimet që po ndodhin gjithandej qytetit, kanë bërë që në disa raste të shfaqen edhe problemet më jetike për banorët. Habib Hasani nga Ferizaj, i cili prej paslufte e ka ndërtuar këtë ndërtesë për banim familjar, u dashtë që pas gjithë këtyre viteve të kthehet nga Zvicra e ta ruaj pronën e vetë nga ndërtimet tjera përreth që ia kanë zënë dritën në dhomat e gjumit. Ky bashkatdhetarë për këtë problem i ka informuar të gjitha institucionet përkatëse në Ferizaj, por tash e disa muaj organet përgjegjëse as nuk vepruan e as nuk i dhanë përgjigje.
“Kam qenë dy javë ditë në prill të këtij viti, punët ishin duke u kryer në pjesën tjetër, por s’më kanë interesuar sepse nuk kishte të bënte me pengesë tek prona ime, kur erdha sërish në korrik veç e pash që punët kishin nisur edhe ngjitur me objektin tim, e kam lajmëruar inspektoratin me thanë shko në polici, kur shkova në polici ata më thanë që duhet të kem vendim të gjykatës, pastaj mora avokat dhe fillova me procedura, isha në komunë, ngjarjen e dinë 100 për qind, kam biseduar me drejtorin Lulzim Aliu, më ka treguar se dy herë i kanë vendosur shirita asaj ndërtese sepse nuk ka leje, ka kallëzim penal edhe në prokurori. Unë thjesht s’di nga t’ia mbajë, nga të iki prej banesës sime. Katet e para i kanë zënë dritaret, tash punët kanë mbërri deri në katin e katërt ku edhe jemi tani. Nganjëherë punët i ndalë, por ato i vazhdon kryesisht në vikende, pushime, si dhe gjatë fushatës“, tha Hasani.
Hasani thotë se është detyruar të marrë pushim nga puna atje, për të qëndruar këtu vetëm për këtë problem, derisa ankohet se për këtë rast janë të shqetësur e gjithë familja.
“Veç për këtë problem jam ardhë, tash e katër javë jam duke qëndruar këtu për me pa se si po rrjedhin më tutje këto punë. Thjesht ne prej banesës sonë nuk kem ku ikim. Prej paslufte e kemi ndërtuar këtë ndërtesë dhe i posedojmë të gjitha dokumentet që na kanë kërkuar. Besoni që fëmijët janë traumatizuar kur i kanë parë këto ndërtime, ata janë lindur e rritur në Zvicër gjërat i kuptojnë më ndryshe, sepse unë e di mentalitetin tonë, por fëmijët asesi nuk po pajtohen. Besoni ne ishim duke bërë gjumë në këtë dhomë, në dritare kërsitshin gozhdat e çekanët”, tha Hasani.
Gjykata Themelore në Ferizaj me aktvendimin e datës 26 shtator 2018, është shpallur jo kompetente për të vendosur rreth kësaj çështje, duke vlerësuar se kompetentë për të vendosur janë organet administrative, respektivisht Inspektorati Ndërtimor Komunal, kompetencë kjo e cila përcaktohet në dispozitat e nenit 29, 33 dhe dispozitat e tjera të Ligjit për Ndërtim. Përmes një e-maili kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj Bashkim Hyseni, ka thënë se kryetari i gjykatës në bazë të autorizimeve ligjore, nuk ka juridiksion për të vlerësuar ligjshmërinë dhe rregullsinë e vendimeve gjyqësore të kësaj natyre, por vlerësimi i këtyre komponentëve është komptencë e Gjykatës së Apelit, e cila vepron sipas mjeteve juridike që mund të përdoren nga palët e autorizuara.
Ndërkaq, Televizioni Tema gjatë tërë ditës ka provuar të kontaktojë me drejtorin e Urbanizmit në Ferizaj Lulzim Aliun, por ai as nuk ndodhej në zyrat e komunës, e as nuk u është përgjigjur telefonatave të televizionit.
Ndryshe, bazuar në një shkresë të inspektorit të ndërtimtarisë dërguar palës ankuese më 13 gusht të këtij viti, thuhet se për objektin i cili ndërtohet herë pas herë me pronar Ekrem Tërshana, është lëshuar konkluzë për lejen e ekzekutimit apo rrënimit dhe njëjta është përcjell tek zyrtari komunal për ekzekutime dhe po ashtu është bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Ferizajt.