Kuvendi i Komunës së Ferizajt me 32 vota për , ka miratuar rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2019.
Drejtoresha e Financave Sebahate Ajeti, tha se kjo rregullore parasheh uljen e tatimit në pronë prej 10%.
“Në bazë të ligjit mbi tatimin e pronës së paluajtshme i cili do të hy në fuqi nga data 1 tetor 2018, janë ndryshuar tarifat e caktimit të lartësisë së tatimit në pronën e paluajtshme, pra kanë pësuar ulje prej 10% të tatimit në pronë krahasuar me rregulloren e vitit të kaluar, andaj me këtë rregullore të propozuar bëhet harmonizimi i caktimit të lartësisë së tatimit në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2019”, tha Ajeti.
Ndërkaq, opozita vlerësoi se nuk po ulet tatimi, por vlera e pronës së paluajtshme, duke e quajtur këtë propozim kamuflim të premtimit elektoral të kryetarit Agim Aliu për ulje të tatimit në pronë prej 10%.
“Është tentu që të kamuflohet ulja e tatimit për 10%, i cili edhe ka qenë edhe propozim i kryetarit Aliu se do të ulë tatimin në pronë për 10% dhe ligji nuk e ka lejuar këtë prandaj është mundu që duke e ulë bazën e pronës së pasurisë së qytetarëve ku ne jemi dëshmitarë që çdo ditë vlera e pronës ngritet në qytetin tonë, do të thotë vetëm për t’u kamufluar kjo ulje është ulur baza e pronës së qytetarëve dhe komuna nuk e ka të drejtë të ulë vlerën e pronës sime, pra sivjet e paskan shfrytëzu këtë mundësi për shkak se vitin e ardhshëm Ministria po e marrka në kompetencë të saj vlerësimin e pronës dhe shkallën e tatimimit, kështu që le të dihet që kjo është një kamuflim se nuk do të ulet tatimi në pronë për 10%, mirëpo është ulja e vlerës së pasurisë së qytetarëve”, tha Enver Haliti LVV.
“Kam një pyetje për drejtoreshën e financave që të specifikoj ku është zbritur 10% tatimi në pronë, sipas ligjit është 0.15%, po ashtu ka qenë edhe vitin e kaluar për pronat private, prandaj të sqarohet kjo”, tha Shkëlzen Selmani, LDK.
“Ulja e tatimit në pronë është zbritur tek çmimi, pasi normat janë minimumi, atëherë ne e kemi zbritur në bazë të anketave që kemi marrë nga anketuesit e tatimit në pronë, uljen e kemi bërë tek çmimi bazë i pronave”, tha drejtoresha e Financave .
“Atëherë mos të proklamohet që është zbritur tatimi në pronë për 10%, tatimi në pronë nuk është zbritur se ka qenë i njëjtë prej fillimit, 0.15, ndërsa vlera e çmimit të zbritjes është krejt tjetër gjë, prandaj nuk është zbritur taimi në pronë, por është zbritur vlera e patundshmërisë”, tha Shkëlzen Selmani.
“Si PDK e përshëndesim uljen e tatimit në pronë për qytetarët e komunës sonë, por personalisht kam vërejtje për ndarjen e zonave, kjo ndarje është bërë në të kaluarën dhe po bëhet edhe tash, konsideroj se jemi dëshmitarë të ndryshimeve që po ndodhin në qytet, prandaj këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në ndryshimin e vlerave të pronës që merren parasysh si bazë në caktimin e vlerës së pronës, besoj që pajtohemi që vlera e objekteve nuk është e njËjtë sikurse te sheshi, në rrugën “12 qershori” apo në “Ahmet Kaçiku”, prandaj kisha kërku që gjatë këtij viti të punohet që të bëhet një ndarje e zonave në formë të merituar për secilën pronë”, tha Arian Imeri nga PDK.
“Sa i përket caktimit të zonave është viti i fundit që është në kompetencë të komunës caktimi i vlerave të zonave pasi me ligjin e ri nga viti i ardhshëm pritet që Ministria ta marrë edhe këtë kompetencë përsipër”, tha Ajeti.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, u diskutuan dhe u miratuan një varg çështjesh si shpallje në interes të përgjithshëm i disa ngastrave kadastrale, ndërsa rregullorja për taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale është shtyrë për seancën e ardhshme. Po ashtu me vota unanime u miratua edhe rregullorja komunale për mënyrën dhe kushtet e menaxhimit dhe shfrytëzimit të objekteve sportive publike, ndërsa u mor vendim që të del në diskutim publik edhe Draft-statuti i teatrit “Adriana” si dhe u miratua edhe Rregullorja për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët.