Connect with us

Ferizaj

Flora dhe fauna e Jezercit nën mbrojtje të shoqatës “Shqiponja”

Published

on

Që nga sot flora dhe fauna në malet e Jezercit, por edhe në pjesë të tjera të kësaj komune do të jenë nën mbrojtje. Deri më tani kafshët e egra ishin të rrezikuara nga personat e papërgjegjshëm, mirëpo tash e tutje Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj ka emëruar shoqatën e cila do ta menaxhoj gjuajtjen e kafshëve nëpër male. Për ta shënuar këtë nismë, në malet e Jezercit u ngjitën dhjetëra dashamirë të kësaj fushe, zyrtarë lokal dhe qëndror, si dhe qytetarë të tjerë. Nuk mungoi as mishi i pjekur.

“Siç jeni në dijeni ne si drejtori e kemi bërë një ofertë publike për dhënie në shfrytëzim të vendgjuetive të përbashkëta në komunën e Ferizajt. Paraprakisht kemi marrë leje nga Ministria e Bujqësisë dhe i kemi zhvilluar të gjitha procedurat ligjore për dhënie në shfrytëzim të vendgjuetive. Ka pasur mjaftë të inetresuar, por komisioni i përbërë nga Drejtoria jonë e ka caktuar shoqatën “Shqiponja” nga Ferizaj. Ne do ta monitorojmë punën e kësaj shoqate e cila do të menaxhoj me vendgjueti për 10 vitet e ardhshme“, tha drejtori Burim Bajrami.

Të pranishëm në Jezerc ishin edhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë. Bajram Batusha nga Departamenti i Pylltarisë, vlerësoi se kjo nismë që ka ndërmarrë Ferizaj, është mëse e qëlluar për mbrojtjen e faunës.

“Siç e dini edhe ju nga viti 2006 gjuetia në Kosovë menaxhohet dhe administrohet sipas ligjit të gjuetisë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Sipas këtij ligji gjuetia duhet të menaxhohet nga shoqatat e gjuetisë, nga komunat dhe nga menaxhuesit e vendgjuetive. Pra, sipas këtij ligji ne kemi tri vende gjuetish: vendgjueti të përbashkëta, me rëndësi të veçantë dhe private”, tha Batusha.

Përfaqësues të shoqatës “Shqiponja”, u zotuan se do të jenë të përgjegjshëm për obligimin që kanë marrë.

“Ne do të mundohemi me të gjitha forcat që ta ruajmë faunën, ta shtojmë egërsinë dhe të punojmë me gjithë vullnetin që kemi për këtë faunë”, tha kryetari i shoqatës ”Shqiponja”, Isuf Idrizi.

U bë e ditur se nga  mesi i muajit tetor zyrtarisht fillon edhe sezoni e gjuetisë.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Arrestohet për vjedhje të rëndë ferizajasi 20 vjeç

Published

on

Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.

Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.

Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.

Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.

Continue Reading

Ferizaj

Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas, Dr. Abaz Beqa

Published

on

Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.

Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.

Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.

Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.

Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.

Continue Reading

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarit për therjen e 4 personave në Ferizaj

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji F.I. që dyshohet se sulmoi dhe theri me thikë katër persona në Ferizaj.

I dyshuari ishte dorëzuar në polici të martën, duke e pranuar sulmin ku si pasojë në mesin e të plagosurve ishin edhe dy fëmijë të moshave 10 dhe 14-vjeçare .

Prokuroria ka thënë se i dyshuari i sulmoi viktimat shkaku i përkatësive etnike pasi që të katër të plagosurit janë të komunitetit RAE.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 Nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha “ në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, i pandehuri F.I., ka tentuar t’i privojë nga jeta  dy të mitura, pjesëtarë të komunitetit RAE.

I poandehuri i sulmon ato nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Më tej, Prokuroria thotë se i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.M., derisa ai ishte duke hyrë në një lokal.

I pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, rreth orës 15:53 minuta, në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, i pandehuri sulmon edhe të dëmtuarin E.A., duke tentuar të privoj nga jeta, duke e goditur me thikë nga mbrapa, në pjesën e shpatullave, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto sulme dhe plagosje, i pandehuri dyshohet se ka kryer në vazhdimësi veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Continue Reading

Trending