Çdo ditë nga ora 10:00, postieri Imri Frangu nga fshati Sllatinë i Vitisë, nis punën në terren me biçikletën e tij, por ndryshe nga ditët e tjera sot postieri 60 vjeçar nuk doli për t’i shpërndarë dërgesat postare, pasi institucioni ku ai punon ka hyrë në grevë për shkak të vonesës së pagave.
Postieri Frangu thotë se bojkotimi i punës nuk i pëlqen, mirëpo një gjë të tillë është i detyruar ta bëj, për shkak se ka disa muaj që e merr pagën me vonesë.
“Çdo ditë në ora 10:00 dalim në terren, unë e kam terrenin në qytet, e kam prej fabrikës së vajit deri tek qendra e regjistimit dhe pjesën “Vëllezërit Gërvalla” deri tek magjistralja, të jesh postier apo të shpërndash postën për mua është kënaqësi, ndërsa tani vonesa e pagave pak po na e zbeh, shumica e punëtorëve kanë kredi, i kemi afatet e caktuara të kësteve, bankës nuk i intereson a ki pare apo jo, kështu që kjo grevë është pa dashjen tonë, por e kanë pru deri në këtë pikë”, tha Frangu.
Frangu thotë se punën si postier në Postën e Kosovës e ka nisur para 14 viteve, mirëpo deri sivjet paga nuk i është vonuar asnjëherë.
“Me paga nuk kemi pas kurrë problem, ndërsa tani po shihet është edhe publike, megjithëse neve na kritikojnë edhe qytetarët në njëfarë mënyre, por ne jemi në grevë për realizmin e kërkesave tona të cilat janë reale”, tha Frangu.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës për rajonin e Ferizajt Sinan Krasniqi, duke numëruar kërkesat që kanë, tha se kërkojnë garanci nga menaxhmenti, bordi dhe Qeveria e Kosovës, që ekzekutimi i pagave në muajt e ardhshëm të bëhet brenda afatit ligjor.
“Ka 4-5 muj që pagat ekzekutohen për punonjësit e Postës me vonesë deri në datat 10-13, kështu që në këtë muaj kemi filluar të mbajmë grevë, tri kërkesat janë së pari pagat të ekzekutohen për të gjithë punonjësit pa bërë dallime, pasi muajt e kalur kanë bërë dallime në punonjës, kërkesa e dytë është që muajt e ardhshëm mos të ketë vonesa në paga dhe kemi kërkuar nga bordi, menaxhmenti dhe Qeveria që raste të tilla mos të ndodhin më. Kërkesa e tretë që është shumë e rëndësishme, kemi kërkuar që të mbulohet shërbimi universal postar për të cilat shërbime i kryen Posta për Qeverinë, shembull Posta e Kosovës i përcjell dërgesat në fshatrat më të thella të Kosovës ku jemi të obliguar nga Qeveria që për këtë të marrim kompensim 0.40 cent përderisa postierët tanë bëjnë shpenzime enorme për këtë dërgesë, tash e katër vite ne e kemi kryer këtë shërbim përderisa nuk kemi marrë asnjë cent nga Qeveria kompensim për këto dërgesa, janë diku 4 milionë e 900 mijë euro të mbledhura të cilat Qeveria ka marrë obligim që t’i kryej, por ende nuk e ka bërë”, tha Sinan Krasniqi.
Sindikata e Postës së Kosovës, paralajmëroi protesta në rrugë nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.