Deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk po u pëlqejnë qytetarëve ferizajas. Ata thonë se për një gjë të tillë duhet të vendosin qytetarët përmes referedumit, e jo një person. Sipas tyre, korrigjimi eventual i kufijve do të shkaktonte trazira në vend.
“Presidenti nganjëherë çon pluhur nëpër lloç, kështu i kisha quajtur deklaratat e tij, ideja për korrigjim të kufijve shkon në dëm të Kosovës pasi ne nuk kemi as forcë politike, por as ushtarake që ta detyrojmë Serbinë të na kthej territore, shkëmbimi i Medvegjës, Bujanocit e Preshevës me veriun e Kosovës nuk shkon në favor tonin, por Presidenti vetëm po hedh pluhur e nuk po i sqaron idetë pse. Shqiptarët mjaftë janë tkurrur, jemi populli i vetëm në Evropë që kemi dalë bukur prej gjeografisë e kemi hyrë në historinë tragjike”, tha Enver Zhinipotoku.
“Ne nuk jemi për me i ndërru kufijtë, absolut jemi kundër ndërrimit të kufijve, por ne duhet me ngulë këmbë mos me lëshu pe për asnjë milimetër, pasi ne kemi humbur mjaftë, ndërsa tani nuk mund të vendos vetëm një person, deri kur dojmë me dhënë, sa herë të bëhet luftë ne me dhënë, ne kufijtë i kemi s’kemi nevojë pse me i lu, ndërsa Presheva, Bujanoci e Medvegja në 47-tën kanë qenë me Kosovën, ashtu ishte në lajme që kanë dalë dokumente, ato tonat janë por na i kanë marrë”, tha Ibrahim Shabani.
“Nëse fuqitë e mëdha, veçmas SHBA vendos, na qoftë për hajër, na pëlqej s’na pëlqej kjo”, tha Ibrahim Budakova.
“Jo me vendos vetëm një njeri, por duhet me referendum, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, u tha se Presheva Medvegja dhe Bujanoci kanë qenë në Kosovë, ne kemi qef me i marrë ato por ndoshta edhe serbët e pjesës së veriut kanë qef me shku kah Serbia, me një fjalë ndryshimi i kufijve është luftë, ne jemi popull i vogël, se në çfarë kuptimi ka thënë Thaçi aty nuk e dimë. Maqedonia na e murr një pjesë andej ka Debëlldehu edhe ne u pajtum edhe Mali i Zi pak, tani edhe Serbia, Kosova veç po ngushtohet dhe ne nuk kemi fuqi as me luftu as me mbrojtë por me dhënë me vullnet nuk e shoh të arsyeshme, ndërsa serbët na mashtrojnë gjthmonë se ata nuk na e japin kurrë Preshevën, Medvegjën e Bujanocin”, tha Ismail Prushi.
“Presidenti nuk e ka të drejtën të vendos për kufi të Kosovës, por kjo vendoset me një referendum gjithëpopullor, ndërsa Presheva, Medvegja e Bujanoci janë troje shqiptare nuk kemi pse të bisedojmë për ato troje”, tha Naim Ramadani.
Gjatë ditës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka përsëritur qëndrimin e tij për bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Ai megjithatë ka thënë se nuk mund të ketë ndarje të shtetit dhe shkëmbim territoresh.