Që nga janari e deri në korrik, në rajonin e Ferizajt kanë humbur jetën 11 persona si pasojë e aksidenteve në trafik. Megjithatë, bazuar në të dhënat e Policisë së Ferizajt, numri i aksidenteve këtë vit ka shënuar rënie, krahasuar me vitin paraprak. Në uljen e numrit të aksidenteve, shefi i Njësisë së Trafikut Rrugor, kapiten Gani Pajaziti, thotë se ka ndikuar shqiptimi i gjobave.
“Ne i kemi shifrat për gjashtë mujorin e parë dhe ato tregojnë se gjendja aktuale e jona në krahasim me vitin e kaluar nuk është edhe aq keq, me fatalitet vitin e kaluar kemi pas 13 persona të vdekur, ndërsa sivjet 11, mandej me lëndime vitin e kaluar kemi pas 487 të lënduar, sivjet 514, me dëme materiale 195, 133 i kemi sivjet, ndërsa për rastet me lëndim dua të them se tek ne është bërë një shprehi se nëse e paraqet rastin si i lënduar ka gjasa që kompania e sigurimeve e bën ndonjë kompensim, pra ka raste kur dëmet janë aq të vogla sa që mund të kalohet edhe me raport evropian, disa raste janë qesharake, pra nëse përmblidhen të gjitha këto kemi një rënie të aksidenteve, që do të thotë se gjendja është e mirë, një prej atyre që e ka mundësuar këtë është se numri i tiketave është rritur, në krahasim me vitin e kaluar kemi mbi 2 mijë tiketa më shumë, kemi pas 18 mijë tiketa vitin e kaluar, sivjet i kemi 20 mijë tiketa dhe kjo është një ndër parametrat se Policia ka ndërmarrë masa’’, tha Gani Pajaziti.
Sa i përket shqetësimeve të qytetarëve për shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve nëpër qendër të qytetit dhe mungesën e patrullave policore aty, Pajaziti thotë se po veprojnë me të gjitha mundësitë që kanë.
“Ne jemi duke dhënë maksimumin tonë, mirëpo është vështirë t’i mbulojmë të gjitha pikat, por me ato mundësitë që i kemi jemi duke dhënë maksimumin, qytetarët nuk i njohin problemet tona që kemi, mungesën e personelit, të veturave dhe një njësi patrulluese nuk mundet me qenë në të njëjtën kohë në 5 vende, por ne po mundohemi dhe kjo është maksimumi që mundemi me bë, po flas edhe për motrat e vëllezërit tanë që na vijnë, disa prej tyre është e rëndë të them, por disa prej tyre vijnë të shfrenohen këtu, unë jam çdo ditë në terren dhe disa prej tyre na thonë nuk po na leni me u kënaq”, shprehet kapiten Pajaziti.
Pajaziti kërkoi nga shoferët që të tregohen më të kujdesshëm në komunikacion, në mënyrë që të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
“Qytetari ta ketë parasysh që të vetëdijesohemi njëherë e përgjithmonë që të kemi një kulturë në komunikacion, pasi gjithmonë kemi arsyetime dhe arsyeja është jam vonu në punë, nëse kemi nivel të kulturës aksidentet do të zvogëlohen, çdo polic i imi është ai që është i pari në kontakt me një trup të pajetë në komunikacion, ne jemi njerëz kur i shohim na u dhimbsen, prandaj apelojmë gjithmonë kujdes shpejtësinë, janë minutat në pyetje”, tha Pajaziti.
Në rajonin e Ferizajt për 7 muaj kanë ndodhur rreth 660 aksidente në trafik.