Pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 51-vjeçare, ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi. Regjisori Lumi ishte profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ndërkohë që në skenat e teatrove ka ngritur një numër shfaqjesh të suksesshme.
Drejtori i teatrit “Adriana” në Ferizaj, Fatmir Hyseni, tha se vdekja e regjisorit Lumi është humbje e madhe jo vetëm për artin kosovar, por edhe atë të rajonit.
“Sot ishte një lajm shumë i hidhur për komunitetin artistik në përgjithësi, Bekim Lumi ka qenë i veçantë dhe unik në trajtimin e artit dhe për këtë është një humbje shumë e madhe jo vetëm në Kosovë, por përgjithësi në trojet shqiptare, për arsye se ai e ka mishëruar teatrin, krejt idetë e tij janë realizu nëpërmjet artit dhe sot ishte një humbje jashtëzakonisht e madhe, por mendoj se arti i tij do të jetoj pasi ka ngritur një standard të caktuar për regjisorët tjerë e artistët tjerë në Kosovë”, tha Hyseni.
Hyseni thotë se përkundër dëshirës së madhe, teatri i Ferizajt nuk ka pasur asnjë shfaqje të regjisorit Lumi, meqë ai punonte gjatë në një shfaqje në mënyrë që ajo të mbetej unike.
“Kemi pas shkëmbime idesh të ndryshme, por jo të punoj ai në teatrin “Adriana” edhe pse dëshira jonë ka qenë shumë e madhe ta kemi një shfaqje të Bekimit, por Bekimi jo që ka punuar aq shumë nëpër teatro përpos në Teatrin Kombëtar dhe ka punuar shumë gjatë në një vepër mandej ajo vepër e tij ka mbet unike”, tha Hyseni.
Regjisori Bekim Lumi njihej për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental. Ai e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme.
Bekim Lumi numëron dhjetëra shfaqje të realizuara, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. Shfaqja e fundit e tij ishte “Arturo Ui”, më 14 qershor, në premierën e së cilës nuk mundi të ishte i pranishëm.