Në ditën kur u varros veprimtari i madh i çështjes kombëtare Adem Demaçi, qytetarët ferizajas dhe ata të cilët patën rastin të njihen nga afër me të, e vlerësuan lartë kontributin e Demaçit të dhënë për Kosovën. Ata thanë se vdekja e Demaçit është humbje e madhe për popullin shqiptar.
“Kënaqësia më e madhe ka qenë me qenë shok i Adem Demaçit dhe ka qenë një Adem që nuk e ka urryer askënd, ai ka sakrifikuar 28 vite burg për këtë popull, unë me bacën Adem jemi takuar pas burgut dhe më njohu në bazë të babait tim dhe më tha që të themeloj Këshillin për të Drejtat e Njeriut dhe e kam formuar menjëherë në vitin 1090, kemi punuar së bashku 9 vite dhe shpesh i thosha po na quajnë këshill vajtues”,tha Milaim Jashari.
“Bacën Adem e kam njohur nga afër, e kam përcjell zakonisht në vizitat e tij që i ka bërë në Zvicër dhe kam qindra foto në arkivin tim dhe do t’i publikoj ato që kanë të bëjnë afërsinë e tij me mërgimtarë, ushtarë e humanistë, po ashtu më vjen mirë që kam arrit që çastet më të gëzueshme të bacës Adem t’i kapi me objektivin tim sidomos me humanistën e madhe, në dasmën e djalit të Agim Ramadanit kur baca Adem dhe Rifat Jashari i prinë valles, uroj që trashëgimia e tij, vlerat që i ka dhënë ai të përcillen tek brezat në të ardhmen, ne kemi dhënë figura shumë madhore, kemi dhënë Ibrahim Rugovën, Mark Krasniqin, shumë të mirënjohurin pajtuesin e gjaqeve Anton Qetën çka do të thotë se kanë shkuar në amshim katër figurat më të mëdha që ka pasur Kosova, sepse secili është emblemë në vete që ka dhënë kontribut, mirëpo nëse kompletohet kontributi i të gjithëve atëherë kemi një mozaik vlerash njerëzie dhe atdhetarie”, tha Rexhep Rifati.
“Unë e kam njohur bacën Adem si gazetar që jam dhe kam pasur rastin të zhvilloj disa intervista me të sidomos në kohën e luftës kur baca Adem si njëri ndër shqiptarët më të guximshëm ishte përfaqësues politik i të lavdishmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë post baca Adem e kryente në mes të Prishtinës dhe nëse flasim për guxim dhe sakrificë është vështirë të gjesh njeri të dytë siç është Adem Demaçi”, tha Afrim Mustafa.
“Unë nuk njoh, as nuk kam dëgju se ka pas sakrificë më të madhe se ai, unë nuk njoh ndonjë njeri në Evropë sikurse Demaçi, 28 vite me i mbajt burg, ai e ka pas atë qëndrim dhe ka qenë i vetmi, asnjë shok nuk mundesh t’ia bësh”, tha Sejdi Sejdiu.
“Kontributi i Demaçit është i rrallë, unë e kam pas adhuru edhe Rugovën, por ky ka vuajtur për Kosovën më është dhimbur shumë, unë nuk njoh tjetër që ka dhënë kontribut më të madh se Demaçi, nuk njoh person në Kosovë po flas për vitet që i kam unë, se historia tregon që ka pasur edhe patriotë tjerë që kanë punuar për Kosovë dhe e kanë dhënë jetën për të”, tha Bahri Jusufi.
Veprimtari i shquar Adem Demaçi, ka ndërruar jetë dy ditë më parë në moshën 82 vjeçare.