Instruktori i njohur botëror i sporteve marciale Allen Tanzadeh, qëndroi për dy ditë në Ferizaj ku vizitoi klubin e karatesë ‘’Kastrioti’’ me të cilin përmes një seminari teknik shkëmbyen përvojat në këtë sport. Seminari ishte i hapur për të gjitha stilet dhe shkollat e karatesë me qëllim ngritjen cilësisë teknike tek studentët dhe garuesit e karatesë.
Instruktori Tanzadeh, u shpreh i lumtur për vizitën në Ferizaj, duke theksuar se ndihet i mahnitur me talentin që fëmijët e këtij klubi kanë për këtë sport.
“Së pari dua të falënderoj të gjithë, por në veçanti Raifin i cili më ka ftuar mua, kam udhëtuar për herë të parë këtu dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Për mua është impresive të shoh fëmijët në këtë nivel, kata dhe kumite, veçanërisht në kumite ku ka shumë talentë të cilët janë premtues për të ardhmen, jam shumë i impresionuar me ta. Kosova ka shumë njerëz të mirë dhe shumë miqësor dhe do të doja të vijë prapë, më pëlqen shumë”,tha Tanzadeh.
I kënaqur me përgatitjen e karateistëve të këtij klubi u shpreh edhe asistenti i Tanzadeh, Naci Ozsoy, nga Turqia.
“Jam i kënaqur me nivelin që kam gjetur këtu dhe jam i gatshëm çdoherë që t’iu ndihmoj karateistëve këtu që me shku në range më të larta në nivele evropiane e botërore, por sa pashë unë këtu ka shumë talentë” ,tha Ozsoy.
Kurse, trajneri i klubit “Kastrioti’’ Raif Musa, tha se ky klub pati privilegjin që të vizitohet nga një instruktor siç është Tanzadeh, edhe pse vetëm për dy ditë.
“Ne si klub i karatesë meqenëse zhvillojmë një stil të veçantë në krahasim me klubet e tjera në nivel të Kosovës, lidhjet tona që i kemi shoqërore me nivelin e rangut botëror, kemi arritur të sjellim një instruktor shumë të madh të nivelit botëror siç është Tanzadeh, është në nivelin e shtatë, brezin e zi, shkallën e shtatë ndryshe titullin Kyoshi, po ashtu është Ozsoy është kryetar i Federatës së Turqisë për stilin shitoriu dhe jemi shumë të kënaqur me punën dhe ndihmën që po na bëjnë neve si trajnerë, por edhe studentëve tanë”,tha Musa.
Instruksionet e Allen Tanzadeh, nxënësit kanë pasur mundësi t’i shohin përgjatë dy ditëve në kuadër të seminarit ndërkombëtar të karatesë, i cili është organizuar nga klubi i karatesë “Kastrioti”, ku interesim për instruksionet e tij kanë shfaqur edhe nxënës nga Maqedonia, Mali i Zi, Belgjika dhe Finlanda.