Një ngjarje me shumë dilema e shumë përjetime. Një rrëfim shumëdimensional i kohës e i kujtimeve, i idealizimit e denigrimit, janë këto që e përshkruajnë romanin e autorit Bashkim Hyseni i titulluar “Shpella”, i cili u promovua sot.
Redaktori i romanit “Shpella”, Sulejman Dërmaku, tha se ky roman sjell përjetime të hidhura e tragjike, të ndërthurura edhe me motive, të cilat bëjnë që secili lexues ta gjej vetën aty.
“Autori Bashkim Hyseni në mënyrë tejet specifike, por me një gjuhë mjaftë të qartë në romanin e tij “Shpella” trajton disa tema të aktualitet tonë që në fakt janë pasqyrë e ngjarjeve të dy epokave të fundshekullit 20 dhe fillimshekullit 21, e të cilat ishin dhe mbeten preokupim i yni i vazhdueshëm. Libri do të zgjoj kërshërinë e lexuesve të të gjitha shtresave e niveleve shoqërore meqë temat të cilat trajtohen brenda kopertinave të romanit janë të tilla saqë secili lexues në njëfarë mënyre do të identifikohet me të bëmat, veprimet a mosveprimet e personazheve duke e vënë kështu në peshojë edhe personalitetin e vet dhe kontributin e dhënë për vendin në instancë të fundit”, tha Dërmaku.
Kurse, recensuesit e romanit “Shpella”, Arsim Hamiti dhe Zyrafete Shala, thanë se temat e shtjelluara në këtë roman, janë tema të patrajtuara deri më sot në letërsinë shqipe.
“Romani ”Shpella” i Bashkim Hysenit botohet 15 vjet pas ditarit të luftës ‘’Jeta mund vdekjen’’, ku autori kishte përmbledhur përjetimet e një kohe të rëndë, ankthin dhe përgjegjësinë që bartnin mbi supe personeli i spitalit të improvizuar ushtarak që krahas mjekimit të ushtarëve të plagosur ishte e nevojshme edhe mbrojtja e tyre nga sulmet e armikut, ky ditarë në një mënyrë është pararendës i hershëm i romanit “Shpella” dhe përmban në vete bërthamat e situatave dramatike që do të jenë pikënisje e fabulës së romanit, por edhe krijimit të personazheve të cilët do të vazhdojnë luftën e tyre në dy dekada jo si luftë kundër armikut, por në luftë me jetën dhe shoqërinë”, theksoi Shala.
“Ky roman trajton atë tranzicionin e papërfunduar social, politik e nacional të shoqërisë sonë që ndodhi pasluftës sonë të fundit dhe po vazhdon të ndodhë akoma, autori në këtë rast na sjell një rrëfim interesant, të zakonshëm në shikim të parë për përditshmërinë tonë, por aspak të zakonshëm për letërsinë e krijimtarinë e pasluftës duke na futur në labirinte të panjohura që pëson njeriu përball fatit të tij, duke ndjekur kryepersonazhin “Gafa”, përjetimet e tij, ne shohim se si realiteti i vrazhdë që kemi ndërtuar paslufte dalëngadalë e vret heroin modern”, tha Hamiti.
Për përmbajtjen e këtij romani foli edhe autori Bashkim Hyseni. Ai tha se në këtë roman është munduar të sjell shqetësimet dhe dilemat e njeriut që jeton nën qiellin kosovar.
“Jam mundu t’i sjell letërsisë shqipe diçka pak më ndryshe, është një tip i një ushtari që jeton në kohën e sotme, ndoshta të një ushtari naiv në kohë që ka idealizu gjithçka, por që megjithatë del se edhe liria ka kosto edhe jeta e sotme nuk është e barabartë për të gjithë, është një bashkëjetesë e dy personazheve njëri që mbetet në shpellë dhe tjetrin që vjen poshtë nga shpella dhe që deri në fund nuk dihet se cilit i ka ra më mirë në këtë kuptim”, tha Hyseni.
Romani “Shpella”u promovua në mesin e dhjetëra shkrimtarëve të të gjitha trojeve shqiptare, të cilët ishin pjesë e kolonisë letrare ‘’Muza e Jezercit, që po mbahet në këtë fshat, organizuar nga klubi letrar “De Rada”.