Në Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është vënë gurëthemeli për ndërtimin e shtatores së dëshmorit të parë të Zonës Operative të Nerodimes Nazmi Uksmajli. Gurëthemeli për shtatoren e dëshmorit nga Jezerci u vu afër ish shtëpisë së TMK-së, ku gjatë luftës ishte një zonë e ndaluar. Për figurën dhe heroizmin e dëshmorit Uksmaji foli gjenerali Imri Ilazi.
“Për të folur për Nazmiun nuk do të kem mundësi për të treguar rrugëtimin, historinë dhe përfundimin pikërisht në fshatin e lindjes. Ai edhe pse erdhi në vendlindje nuk pranoi të hyjë në familje për t’u çmallur, sepse thoshte që para vetës e ka një mision dhe pa e kryer misionin nuk shkoj në shtëpi. Pra ky është akti me heroik që unë kam përjetuar nga një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dua të them se ai në momentin që hyri Jezercin e pa të lirë dhe ashtu mendonte dhe ashtu do të ndodhë edhe pas rënies së tij heroike tek bashkimi i dy lumenjve në Nerodime, prandaj dua që të gjithë iniciatorët që aprovuan lokacionin për dëshmorin Nazmi Uksmaji t’i falënderoj dhe t’i përgëzoj, duke shpresuar se në një afat të shkurtër të ngritët kjo shtatore“, tha gjeneral Ilazi.
Kryetari i shoqatës së Veteranëve të Luftës në Ferizaj Rafiz Sejdiu, derisa foli për sakrificën e lavdishme të dëshmorit Uksmajli dhe të gjithë të rënëve të tjerë, shprehu një dozë zhgënjimi që monumenti për dëshmorin e parë të kësaj ane po ngritët pas shumë kohësh.
“Kjo ndoshta është edhe paradoksale pasi që Nazmiu është dëshmori i parë kurse shtatorja i ngritët në mesin e të fundit, por siç thuhet më mirë vonë se hiç. Ne nuk e patëm lehtë edhe pas çlirimit pasi që propaganda e politikës pacifiste e kishte bërë të vetën dhe shpeshherë jemi gjendur në vështirësi, pra merreni me mend u dashtë të kalojnë 15 vite e veteranëve të luftës së UÇK-së t’i bëhet një ndihmë ekonomike modeste”, tha Sejdiu.
‘’Me krenari dhe përgjegjësi duhet të punuar për ta çuar në vend amanetin e të rënëve për këtë liri që sot Kosova po gëzon. Ndjehuni të qetë familje të nderuara të dëshmorëve nëna dhe baballarë, sepse shokët dhe shoqet e fëmijëve tuaj që sot kanë Ditën e Veteranit nuk do të lënë asnjë gurë pa e lëvizur për të realizuar atë amanet për të cilën kanë rënë dëshmorët e kombit”, tha Agim Aliu.
“Ndihemi krenarë që kemi qenë bashkëluftëtarë të Nazmiut dhe të tjerëve, ndihemi krenarë që e kemi vazhduar atë rrugëtim të tyre, ndihemi krenarë që e kemi pritur edhe qershorin e vitit 2009, ndihemi krenarë po ashtu që e kemi pritur 18 shkurtin e vitit 2018 dhe ju veteranë dhe ju bashkëluftëtarë të UÇK-së duhet të mburremi me atë kohë, duhet ta ruajmë emrin e veteranit, duhet të dalim haptas që kemi qenë pjesë e UÇK-së , sepse ne kemi përmbys historinë“, tha Elmi Reçica.
Për ta nderuar jetën dhe veprën e dëshmorit Nazmi Uksmaji, por edhe dëshmorëve të tjerë të kësaj ane, në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj u bën homazhe nga një numër i konsideruar i bashkëluftëtarëve, familjarëve dhe zyrtarëve të institucioneve lokale e qendrore.