Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se askush nuk mund ta udhëheqë i vetëm procesin e negociatave me Serbinë dhe se askush nuk do të jetë në gjendje ta bllokojë këtë proces. Thaçi tha se synon arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, nga e cila do të ndodhte njohja reciproke.
“Synim e kemi arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Jam i vendosur të punoj për marrëveshje definitive të paqes dhe pajtimit dhe pastaj të ndodhë njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të jetë një arritje historike për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Që kjo njohje të ndodhë, kjo mrekulli, njohja e Kosovës nga Serbia, duhet të kontribuojmë të gjithë, nuk duhet të frikësohemi për t’u ulur dhe për të diskutuar, për të këmbëngulur në të drejtën tonë për njohjen nga Serbia si parakusht për fqinjësi të mirë, por edhe për të ardhme të sigurt euroatlantike. Ne e dimë se çka duam, ne sa herë që jemi ulur kemi fituar tash e tri dekada, prandaj askush nuk e ka asnjë arsye që ta bojkotoj këtë proces”, tha Thaçi.
Ndërkaq, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Thaçi tha se gjatë këtyre ditëve presin lajme të mira rreth këtij procesi.
“Varet nga kush jepen sinjale për liberalizimin e vizave por një gjë mund t’i konfirmoj qytetarët e Kosovës se gjatë ditëve të ardhshme do të kemi lajme të mira për liberalizim të vizave dhe qytetarët do të lëvizin lirshëm në zonën e Bashkimi Evropian, por nuk mund të flas me ditë javë muaj ekzakt, por gjatë sezonës së vjeshtës ne do të punojmë me shtetet veç e veç e do t’i bindim që qytetarët të lëvizin pa viza”, theksoi ai.
Këto komente presidenti Thaçi i bëri gjatë përurimit të fushatës së korrje-shirjeve në fshatin Prelez të Jerlive, teksa premtoi përkrahje për fermerët të cilëve u janë shkaktuar dëme nga të reshurat.
Ndërsa, zëvendësministri i Bujqësisë Mevledin Krasniqi, bëri të ditur se që nga nesër do të filloj ndarja e subvencioneve për fermerët që kanë mbjellur grurë.
“Sivjet në Republikën e Kosovës janë të mbjella 73 mijë hektarë grurë dhe ministria subvencionon me 6.7 milionë euro, po ashtu jam këtu për të dhënë lajmin e mirë për bujqit se qysh nesër fillon lista e pagesave direket dhe brenda muajit korrik do të përfitojnë nga 150 euro për hektarë”, tha Krasniqi.
Kurse, kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se rendimentet e sivjetme në Ferizaj do të mbulojnë rreth 70% konsumin e qytetarëve.
“‘Ne jemi përkrah fermerëve të komunës sonë. E dimë se ka pasur të reshura dhe se janë dëmtuar shumë kulturat bujqësore, por besojmë se do ia dalim dhe këtë herë dhe se me punë të madhe nga bujqit dhe me përkrahje nga institucionet do të ketë rendimente edhe për këtë vit’’, u shpreh ai.
Gjatë vizitës në Prelez të Ferizajt, presidenti Thaçi u pyet nëse vizita e tij lidhet me ndonjë paralajmërim eventual të ndonjë fushate elektorale, mirëpo Thaçi e mohoi një gjë të tillë duke thënë se vizita e sotme është angazhim për rikthimin e besimit të qytetarëve tek politika dhe institucionet e shtetit.