Deputetët Lutfi Zharku dhe Valon Ramadani kanë mbajtur një takim publik me qytetarët e Ferizajt për të dëgjuar problemet të cilat i preokupojnë ata me qëllim të adresimit të tyre në institucionet kompetente. Megjithëse ishte paralajmëruar pjesëmarrja e 7 deputetëve, të pranishëm ishin vetëm Zharku e Ramadani. Edhe pse në numër të vogël, qytetarët pjesëmarrës paraqitën pyetje të ndryshme të cilat morën përgjigje nga deputetët prezent.
“Kërkoj nga deputetët përfaqësues që janë të regjionit të Ferizajt le të shkojnë në Qeveri dhe tek AKP-ja të hulumtojnë për obligimet që duhet t’i kryejnë për punëtorët e Fabrikës së Tubave”, tha një ish-punëtor i Fabrikës së Tubave.
“E bashkndjejë këtë shqetësim, pasi edhe unë jam i përjashtuar nga puna në vitin 1991 me masa të dhunshme prej fabrikës së çimentos, megjithatë janë disa çështje që as qeveria e kaluar nuk ka mundur me i zgjidhë, ndërsa për qeverinë e tashme nuk mundem me fol pasi doket se kjo qeveri ka disa brenga të tjera jo brenga të qytetarëve por që do ta përcjelli me kolegë këtë çështje, këtë shqetësim të punëtorëve të fabrikës”, tha deputeti Lutfi Zharku.
“Qeveria ka ndarë një shumë prej 53 milionë euro për autostradë, ndërsa po ta dëgjosh qeverinë thonë se ne jemi duke shpëtuar buxhetin e Kosovës me dhënien e kësaj shume, kisha dashtë që ish-ministri të përgjigjet për këtë”,tha Muhamet Çekini.
“Ai është një vendim kundërligjor dhe tash do të shihet në rezolutën e kuvendit se si do të vazhdoj, por nuk ka fije dyshimi me të gjeturat dhe sqarimet që janë bërë se ai vendim është arbitrarë që nuk ka bazë ligjore”, tha Zharku.
“Unë e kam një shqetësim sa i përket sigurimeve shëndetësore, ne prej çlirimit të Kosovës çdo qeveri që vjen në pushtet thirret në sigurime shëndetësore dhe punët asnjëherë nuk i kryn, ne sot kemi raste me sëmundje të ndryshme, kisha me i lut këta deputetë që mos të shëtitën nëpër kafe por të shkojnë nëpër spitale e t’i shohin se si ballafaqohen të sëmurët, e si ja dalin me barna”, tha një tjetër qytetar.
“Nuk mundemi me u livdu për këtë pikë, sepse në realitet situatën e kemi keq, në mandatin e kaluar kur ka qenë ministri Rrahmani është munduar jashtëzakonisht shumë kemi pas dy herë në qeveri vendimin për implementimin e sigurimeve shëndetësore por është shtyrë dy herë”, tha Zharku.
“Në Kosovë më shumë është e siguruar vetura se njeri, sot pas 18 viteve dikush e gjuan fajin por deri sot ato parti që janë kanë në pushtet nuk kanë bërë asgjë për sigurimet shëndetësore”, tha deputeti Valon Ramadani.
Në këtë takim u adresuan edhe disa probleme të tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturë, por edhe me ndotje të ambientit.