Në komunën e Ferizajt ka filluar fushata e korrje-shirjeve, megjithatë rendimentet jo të larta janë ato të cilat po i shqetësojnë fermerët e këtushëm. Xhevat Uka nga fshati Prelez i Jerlive, i cili ka të mbjella rreth 300 hektarë grurë, thotë se breshëri është ai i cili ka ndikuar që rendimentet të jenë të ulëta.
“Dje kemi fillu me korrje-shirje, me rendimente nuk jemi të kënaqur për shkak se ka pasur reshje të breshrit dy herë dhe rendimenti është shumë më i vogël se vitin e kaluar dhe është një dëm i madh, por nuk kemi çka bëjmë”, tha Uka.
Ndërsa, drejtori i Bujqësisë në Ferizaj Burim Bajrami, bëri të ditur se në komunën e Ferizajt janë të mbjella 4 mijë hektarë grurë, duke shfaqur shpresën që rendimenti mesatar të jetë rreth 4 mijë kilogramë për hektarë.
“Dje ka filluar fushata e korrje-shirjeve, në komunën e Ferizajt janë afërisht 4 mijë hektarë të mbjella me kulturën e grurit, fushata po shkon mirë, moti është i mirë, autokombajnerët janë të angazhuar dhe janë rreth 100 autokombajnerë të organizuar, çmimi për një hektarë të korrjes është 100 euro, por varion në bazë të marrëveshjes së kombajnerëve dhe pronarëve të tokës. Kushtet klimatike kanë qenë shumë të disfavorshme për të gjitha kulturat bujqësore, duke përfshi edhe kulturën e grurit, të reshurat e fundit, sidomos breshëri ka ndikuar negativisht dhe presim më pak rendiment, por po shpresojmë që mesatarja të sillet diku 3500-4000 kg për hektarë dhe nëse arrimë këtë mesatare do të ishim të kënaqur edhe ne si drejtori, por edhe bujqit në veçanti”, tha Bajrami.
Përveç rendimenteve të ulëta, fermerët shprehen të pakënaqur edhe me çmimin e grurit në treg që sivjet është 16 cent.
“Nuk jena të kënaqur me çmimin e grurit, kanë vendosur mullinjtë 16 cent është, çmimi shumë i dobët, por kështu është”, u shpreh Uka.
“Jemi shumë të pafuqishëm në këtë drejtim, pasi nuk mund ta përcaktojmë ne çmimin e tregut krejt çka ne kemi pas mundësi me bë kemi bërë uljen e çmimit të naftës për fermerët ferizajas nga 5 cent për litër dhe krejt çka është në mundësinë tonë është kjo çka kemi bërë deri më tani”, tha drejtori Bajrami.
Sipas parashikimeve, nëse kushtet atmosferike janë të përshtatshme fushata e korrje-shirjeve do të përfundojë brenda tri jave.