Komuna e Ferizajt ka nisur zbatimin e një projekti mbështetës me kompaninë HIB Petrol për furnizimin e fermerëve me derivate të naftës prej 0.5 cent më lirë se sa çmimi i tregut. Fermerët ferizajas e mirëpritën këtë iniciativë duke thënë se sado pak do t’ua lehtësoj zhvillimin e veprimtarive bujqësore.
“Është e mirëseardhur për neve, na ka njoftu drejtori 1.17 figuron nafti këtu, ndërsa na u është mundësuar 1.12 me marrë. 300 litra minimum i kemi ditore, një shumë e madhe është për neve dhe kjo është një lehtësim i vogël, por ia vlen”, tha Xhevat Uka.
“Kjo është një ndihmë normale duhet edhe pak më shumë, por brenda mundësive është mirë, ne harxhojmë gjatë korrjeve 300-400 litra”,tha Basri Avdyli.
Ndërsa, drejtori i Bujqësisë Burim Bajrami, tha se ky projekt do të zbatohet gjatë këtij viti. Ai shtoi se përfitues do të mund të jenë të gjithë fermerët pavarësisht se me çfarë veprimtarie bujqësore merren.
“HIB-i duke e parë gjendjen e rëndë të bujqve në territorin tonë ka shprehur gatishmëri pa asnjë çmim, pa asnjë kusht që t’i subvencionojë bujqit me 0.5 cent në litër të naftës, fermerët duhet të kenë numrin identifikues që merret në zyrat tona, vjen tek çdo pikë e HIB-it dhe furnizohet me derivate të naftës gjatë tërë vitit varësisht nga çmimi i tregut çmimi prej 0.5 centë është i liruar për fermerët”, tha Bajrami.
Edhe menaxheri i kompanisë HIB-Petrol Fisnik Thaçi, tha se përmes kësaj mënyre po mundohen që sado pak t’u dalin në ndihmë bujqve të komunës së Ferizajt.
“Në bashkëpunim me komunën e Ferizajt kemi arritur marrëveshje me qëllim që t’u ofrojmë çmime më të lira fermerëve tanë, gjithmonë duke menduar me i fuqizu fermerët dhe ekonomitë e tyre familjare, pasi që HIB- e konsideron këtë sektor të rëndësishëm për vendin, ne jemi në proces edhe me komunat e tjera të bëjmë kësi marrëveshje dhe uroj që çdo litër që shpenzojnë fermerët të jetë një sukses për ta”,tha Thaçi.
Çmimi i naftës në këtë pikë karburanti momentalisht është 1.17 cent, ndërsa fermerët në bazë të kësaj marrëveshje nuk janë të detyruar që me mekanizëm bujqësor të shkojnë në pikat e kësaj kompanie, por që furnizimin mund ta bëjnë edhe në forma tjera. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Bujqësisë, në komunën e Ferizajt janë mbi 1000 fermerë.