2 mijë e 375 maturantë të komunës së Ferizajt, i janë nënshtruar pjesës së parë të testit të maturës.
Për të parë nga afër ecurinë e zhvillimit të këtij testi të rëndësishëm për maturantët, gjimnazin ‘’Kuvendi i Arbërit’’ e vizitoi ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga kryetari i Ferizajt Agim Aliu.
Ministri Bytyqi, tha se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që ky test të shkoj mirë, duke shfaqur shpresën për rezultate pozitive.
“Pas përgatitjeve që janë bërë nga Komisioni Shtetëror i Maturës, sot është dita e parë e fillimit të testit të maturës, unë ju uroj gjithë maturantëve të kenë sukses në këtë test dhe gjithë nxënësit të cilët kanë obligim dhe kanë përgatitje të mirë t’i marrin rezultatet e merituara dhe të duhura dhe ky ka qenë synimi ynë kur kemi filluar të merremi me këtë çështje që vërtet kësaj radhe testi i maturës të dalë një test i suksesshëm në mbarëvajtje, ndërsa rezultatet janë ato të për cilat kanë bërë kontribut së pari mësimdhënësit, pastaj drejtues të shkollave dhe padyshim kanë pasur një përkrahje edhe nga kryetarë të komunave, por edhe nga Ministria e Arsimit”, tha Bytyqi.
Ndonëse nuk është lejuar që nxënësit të futën në qendër të testimit me telefona, ata janë parë me ta brenda nëpër klasë, madje disa teste kanë qarkulluar edhe nëpër rrjete sociale.
“Secili nxënës që do të zihet duke përdor telefon në klasë ai do të largohet nga testi,e përsëritëm këtë kërkesë edhe me administratorë që aty ku ka këso gjëra duhet të evitohen. Janë gjëra që duhet parë, sepse këto janë defekte që kanë qenë në të kaluarën, ne jemi munduar me i zvogëlu këto defekte, por nuk është e lehtë që menjëherë të gjitha defektet të eliminohen, konsideroj se është bërë një hap pozitiv, por do shohim tutje se si ka rrjedhur deri tek testi dhe si do të jetë ndikimi i këtij testi në rrjetet sociale”, u shpreh ai.
Kurse, kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se do të angazhohen që të krijojnë kushte për ngritjen e cilësisë në arsim.
“Urojmë që të kenë suksesin e duhur, ajo që ne si komunë është sot dhe do të jetë edhe nesër angazhim që të krijojmë kushte dhe mundësi në mënyrë që të bëjmë atë që duhet të bëhet, të përmirësohet cilësia në arsim, sepse tashmë një kohë të gjatë kemi pasur investime bazike të ndërtimit të infrastrukturës, por është koha e fundit që ne të përmirësojmë kushtet dhe të jemi të përkushtuar në ngritjen e cilësisë në arsim”, tha Aliu.
Këtë vit testi i maturës do të mbahet në katër regjione, në katër ditë të ndryshme, ku pyetjet e testit nuk do të jenë të njëjta për asnjërin rajon.
U bë e ditur se për rajonin e Ferizajt dhe të Gjilanit, pjesa e dytë e testit do të mbahet më 5 qershor.