Propozim-vendimi për dhurimin e disa pajisjeve mjekësore nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare për Spitalin rajonal të Ferizajt, ngjalli debat të ashpër mes pushtetit dhe opozitës në Komitetin për Politikë e Financa.
Anëtarë të LDK-së kërkuan që kjo pikë e rendit të ditës të hiqet, pasi që sipas tyre, asetet e komunës nuk kanë nevojë të falen, meqë ato mund të shërbejnë për mjekësinë primare. Por, drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj Besnik Berisha, tha se ky propozim arsyetohet me faktin që Këshilli Drejtues i QKMF-së ka vlerësuar se ato pajisje ku bëjnë pjesë monitor pacient, aparat PAP testi, infuzion pompa, shiringa pompa e të tjera, nuk mund të shfrytëzohen nga mjekësia primare dhe që shumica e tyre kanë mbetur nëpër depot e këtij institucioni. Madje Berisha lexoi edhe procesverbalin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të QFKM-së, në një nga mbledhjet e mbajtura në kohën kur ishin blerë ato pajisje.
“Ato mjete nuk dinë me i përdorë mjekët e QKMF-së, nuk janë trajnuar. Ato mjete janë të papërdorura, vetëm se kanë krijuar kosto dhe nuk përdoren, 19 mijë raste kanë qenë si pacientë dhe kurrë nuk është evidentu që janë përdoru ato pajisje. Edhe disa reagenca që i kanë marrë për PAP test e të cilat qëndrojnë nëpër qoshe e disave edhe ju ka skadu afati kurrë s’janë përdor. Këtu është dëmtuar buxheti dhe është keqpërdorë”, tha Berisha.
Ndërkaq, Burim Karameta ish-drejtor i Shëndetësisë, këmbëngulte që këto pajisje kanë shërbyer në QKMF, madje kanë shpëtuar edhe jetë. Por, kur ai përpiqej t’iu shpjegonte anëtarëve të Komitetit për rolin dhe rëndësinë e pajisjeve që janë blerë në QKMF gjatë udhëheqjes së tij, disa pjesëmarrës e humbën durimin duke i thënë Karametës që mos t’iu mbaj ligjërata koti.
“Më së pari është antiligjore që ke lexuar kështu procesverbalin e mbledhjeve të Këshillit Drejtues në këtë përbërje. Monitor pacientët janë një sistem që mund të monitorojnë parametra të shumëfishtë, tension, arterial, ekage, frekuencë oksigjeni e të tjera”, tha Karameta.
“Ne nuk po i kontestojmë këto zotëri, por neve na trego pse s’janë përdorë ato’’, tha Lumnije Morina nga PDK.
‘’Pse, atëherë qe s’je e njoftuar a janë përdor ose jo dëshiron me çu këtë çështje në Kuvend, zonjë ,pse ke ardhë këtu pa lidhje”, tha Karameta.
‘’Unë do të bindem prej fakteve që sjell drejtori edhe ti pastaj vendos qysh me votu“, tha Lumnije Morina.
Kjo pikë e rendit të ditës zgjati më shumë sesa pritej. Derisa drejtues të pushtetit bashkë me anëtarë të pozitës ishin pro që këto pajisje t’i dhurohen Spitalit rajonal, Xhavit Zariqi i AAK-së nuk beson që atje punët do të ecin më mirë. Madje, ai tha se dhurimi i asteve komunale është në kundërshtim me ligjin.
“Ne duhet ta dimë saktësisht se a kemi të drejtë ligjore me falë asete që janë të komunës. Nuk besoj që kemi të drejtë, por kjo duhet të sqarohet nga pushteti deri në kohën e seancës. Ndryshe, arsyeshëmria nuk është fare e plotë, nëse nuk është marrë një komision saktësisht për me bë një analizë se pse nuk janë shfrytëzuar ato pajisje unë them se mjekët janë fajtorët kryesor pse ato pajisje nuk shfrytëzohen, pasi që ata i referojnë pacientët në ordinanca private, prandaj unë mendoj se mjekët duhet me i mësu se si përdorën ato pajisje”, tha Xhavit Zariqi.
Ndryshe, Komiteti për Politikë e Financa i dha dritë jeshile edhe pikave të tjera të rendit të ditës për t’u diskutuar në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit. Ndër to ishin vënia në diskutim publik të draft rregullores për realizmin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijë, shpallja e dy ngastrave kadastrave në interes të përgjithshëm, njëra në qytet e tjetra në Greme, raporti i punës për vitin 2017, si dhe ai i auditimit gjeneral për vitin 2017.
E, para se mbledhja të përfundoj, ishte sërish Burim Karameta me një kërkesë të tij. Ai kërkoi nga kryesuesja që në mbledhjen e radhës pikë e rendit të ditës të jetë shkresa e ministrisë për vendimin e ndërrimit të lokacionit të spitalit.
“Ministritë e linjës kanë kthyer përgjigje negative për çështjen e ndërrimit të lokacionit të spitalit dhe për këtë arsye ne kërkojmë që vendimi i nivelit qendror të na jepet neve dhe në këtë seancë plenare të njoftohen të gjithë anëtarët e Kuvendit që një vendim i tillë është antiligjor dhe ju lutem përveç vonesave që jeni duke i bërë për fillimin e ndërtimit të spitalit, siç po duket ju jeni tu kalu edhe në pikat e kuqe ku e rrezikoni të tërin këtë projekt”, tha Karameta.
“Sa i përket vlerësimit të ligjshmërisë, shkresa është kthyer me vonesë dhe ne bazë të rregullores nga Qeveria e Kosovës ne mund të mos e shqyrtojmë fare atë shkresë, por bashkërisht me kryetarin megjithatë kemi vendosur që ta rishqyrtojmë ne seancën e radhës atë shkresë të ministrisë”, tha kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi-Bytyqi.
Mbledhja e Kuvendit komunal të Ferizajt do të mbahet këtë të enjte, më 31 maj.